Sport

Transferimi i Weghorst në Manchester United pritet të përfundojë këtë të marte


Marrëveshja e Manchester United për të sjellë Wout Weghorst thuhet se do të bëhet sot (10 janar, e marte) pasi sulmuesi holandez është gati të kalojë në “Old Trafford”.

Që nga largimi i Cristiano Ronaldo-s në muajin e kaluar, United ka kërkuar në mënyrë aktive të shtojë opsionet e tyre sulmuese në afatin kalimtar të janarit.

Menaxheri Erik ten Hag tani e ka identifikuar 30-vjeçarin si objektivin e tij të preferuar, i cili aktualisht është i huazuar në skuadrën e Superligës turke, Besiktas nga Burnley.

Ka pasur raportime se Weghorst kishte një klauzolë largimi në kontratën e tij, të cilën Besiktas e mohoi me forcë, në deklaratën e tyre thuhej:

“Pas ndeshjes së ekipit tonë kundër Kasımpasa në Superligë, ishte nevoja të jepej një deklaratë për shkak të spekulimeve dhe lajmeve në media për futbollistin tonë Wout Weghorst”.

“Pretendimi se ka një klauzolë largimi në kontratën e futbollistit tonë, ku thuhet se kontrata e tij mund të ndërpritet me një kompensim prej 2.5 milionë euro në rast të ofertës nga Premierliga, është fiktive”.

Megjithatë, sipas gazetarit turk Gokhan Dinc , Weghorst është gati të paguajë vetë tarifën e kompensimit nëse Besiktas refuzon ta lërë të shkojë.

Më tej, Dinc shtoi se pritet që Besiktas të njoftojë largimin e Weghorst sot, por nuk është e sigurt nëse ai e ka paguar vetë rrugën e tij apo është arritur një marrëveshje me Burnley dhe United.

“Daily Express” ka raportuar se Besiktas ka renditur dy kushte për të lënë Weghorst të largohet. Së pari, ata duan të sigurojnë një tarifë kompensimi për anulimin para kohe të kontratës së holandezit.

Përveç kësaj, Besiktas dëshiron të sigurojë që ata të kenë një zëvendësues përpara se të lënë Ëeghorst të largohet në mënyrë që të mos përfundojnë me mungesë opsionesh përpara.

Besiktas është lidhur me sulmuesin kamerunas Vincent Aboubakar, i cili pritet të largohet nga klubi i Arabisë Saudite Al Nassr pas ardhjes së Ronaldo-s.

Kujtojmë që Weghorst pati një start shumë të mirë në këtë sezon me ekipin turk, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhuruar katër asistime në 18 ndeshje në kupë dhe në ligë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore