Shëndet

Trajtimi i ri kundër Alzheimerit e ngadalëson sëmundjen me një të tretën


Epoka e trajtimeve të Alzheimerit duket se nuk është larg.

Ilaçi i dytë, në më pak se një vit, ka treguar se e ngadalëson sëmundjen.

Sipas ekspertëve, tani jemi në prag të disponueshmërisë së barnave, diçka që kohët e fundit dukej e pamundur.

Kompania Eli Lilly ka raportuar se ilaçi i saj – donanemab – ngadalëson ritmin e Alzheimerit me rreth një të tretën.

Megjithatë, dy vullnetarë, dhe ndoshta një i tretë, ndërruan jetë si pasojë e ënjtjes së rrezikshme në tru.

Donanemab funksionon në të njëjtën mënyrë si lecanemab, i cili krijoi tituj në mbarë botën kur u vërtetua se ngadalësonte sëmundjen.

Të dy janë antitrupa si ato që trupi prodhon për të sulmuar viruset. Por janë projektuar për të pastruar një gungë ngjitëse nga truri, të quajtur beta amiloid.

Amiloidi grumbullohet në hapësirat midis qelizave të trurit, duke formuar pllaka dalluese që janë një nga shenjat dalluese të Alzheimerit.

“Beteja prej dekadash për të gjetur trajtime që ndryshojnë sëmundjen e Alzheimerit po ndryshon”, ka thënë Cath Mummery, drejtuesi klinik për klinikën e çrregullimeve njohëse në Spitalin Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar për Neurologjinë dhe Neurokirurgjinë.

“Tani po hyjmë në kohën e modifikimit të sëmundjes, ku mund të shpresojmë realisht të trajtojmë dikë me sëmundjen Alzheimer, me menaxhim afatgjatë të sëmundjes dhe jo me kujdes mbështetës”, ka shtuar ai.

1 mijë e 734 persona në fazat më të hershme të Alzheimerit morën pjesë. Atyre, Donanemab iu dha si një infuzion mujor derisa pllakat dalluese në tru u zhdukën.

Ritmi i sëmundjes u ngadalësua me rreth 29 për qind në përgjithësi.

Ata që u morën me ilaçin ruajtën gjithashtu më shumë nga jeta e tyre e përditshme, si për shembull të qenit në gjendje të diskutonin ngjarjet aktuale, të vozitnin ose të ndiqnin hobi.

Megjithatë, ënjtja e trurit ishte një efekt anësor i zakonshëm në deri një të tretën e pacientëve.

“Ne jemi të inkurajuar nga përfitimet e mundshme klinike që mund të ofrojë donanemab, megjithëse si shumë trajtime efektive për sëmundjet dobësuese dhe fatale, ka rreziqe të lidhura që mund të jenë serioze dhe kërcënuese për jetën”, ka thënë zëvendëspresidentja e grupit Eli Lilly.

Kompania sakaq ka bërë me dije se do të fillojë procesin e miratimit të ilaçit për përdorim në spitale në muajt e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore