Lajme

Trajtimi i ri i kancerit ofron shpresë për pacientët


Mjekët kanë zbuluar se një trajtim i ri për kancerin mund të ndalojë avancimin e sëmundjes te pacientët që janë rezistent ndaj imunoterapisë.

Kjo e fundit përdor sistemin imunitar për të synuar dhe vrarë qelizat e kancerit dhe mund të shpëtojë jetë kur opsionet e tjera të trajtimit kanë dështuar.

Por trajtimi i ri nuk mund t’i ndihmojë të gjithë pacientët dhe disa tumore mund të evoluojnë për t’i rezistuar.

Onkologët në Mbretërinë e Bashkuar kanë gjetur një trajtim me dy drejtime që mund të ndryshojë rezistencën e kancerit ndaj imunoterapisë.

Ata kanë zbuluar se pacientët që pritej të ndërronin jetë pasi kishin shteruar të gjitha opsionet e trajtimit mbijetuan shumë më gjatë.

Kombinimi i një ilaçi imunoterapie dhe një agjenti hipometilues të ADN-së i gjeneratës së ardhshme, ndaloi përparimin e kancerit në më shumë se një të tretën e pacientëve të regjistruar në provën e hershme të fazës 1.

Sakaq, kombinimi i dyfishtë mund të bëhet një armë e re efektive kundër disa formave të kancerit, sipas ekspertëve në Institutin e Kërkimit të Kancerit.

Pacientët në provë përfshinin ata me kancer të mushkërive, gjirit, prostatës dhe zorrëve.

“Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme në lidhje me këtë provë është se përdorëm metoda të shumta të ndryshme për të kërkuar ndryshime në sistemin imunitar, duke treguar fuqishëm se ai po ndikohej nga trajtimi i kombinuar”, ka thënë autori kryesor i studimit, Johann de Bono.

Trajtimi i ri përdori pembrolizumab dhe guadecitabinë për të trajtuar 34 pacientë me kancer, 30 prej të cilëve iu analizuan tumoret për aktivitetin imunitar dhe zhvillimin e kancerit.

Pembrolizumab është një ilaç frenues i pikës së kontrollit imunitar që tashmë ka rezultuar i suksesshëm për trajtimin e kancerit të mushkërive dhe lëkurës.

Megjithatë, tumoret mund të zhvillojnë rezistencë ndaj tij dhe disa pacientë që fillimisht përfitojnë në fund mund të sëmuren.

Drejtuesja e studimit, Anna Minchom, ka thënë se “imunoterapia ka treguar premtime të mahnitshme në kujdesin ndaj kancerit gjatë dekadës së fundit, por nuk funksionon mirë në të gjitha llojet e kancerit”.

“Ky kombinim mund të jetë një mënyrë për të synuar kancerin edhe pasi të ketë pushuar së reaguari ndaj imunoterapisë”, ka shtuar ajo.

Mjekët kanë zbuluar se guadecitabina mund të ndihmojë në kapërcimin e kësaj rezistence.

Nga 30 pacientë, aktiviteti i kancerit të të cilëve u analizua, për 37 për qind sëmundja u ndal pa përparim të tumorit për 24 javë ose më shumë.

Tre të pestat e grupit ishin rezistente ndaj imunoterapisë përpara provës. Prej tyre, thuajse katër në dhjetë nuk u sëmurën pas marrjes së kombinimit të barnave.

Trajtimi i ri duket veçanërisht i dobishëm për pacientët me kancer të mushkërive. Nga ata që rezistonin ndaj imunoterapisë, gjysma e kishin sëmundjen e tyre të kontrolluar për 24 javë ose më shumë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore