Shqipëria

Tragjedia njerëzore pa bujë mediatike


22 nëntor 1989.

Shqipëria gjendet e gjunjëzuar pas një tragjedie të trefishtë.

E gjithë ngjarja, ku humbën jetën 23 persona – shumica studentë, ushtarakë dhe staf mjekësor – pati një mbulim minimal mediatik brenda vendit.

Gjithçka ndodhi u transmetua vetëm në lajmet e mbrëmjes nga televizioni shtetëror dhe lista e viktimave ishte më e gjatë se vetë pasqyrimi i lajmit.

Pas zbardhjes së dokumentit vite më pas – në fakt ishte raporti i brendshëm i incidentit me të gjithë rindërtimin e situatës – doli në dritë shkaku i vërtetë: përkeqësimi i papritur i motit.

Memoriali “Syri i Qiellit” në nderim të viktimave të 22 nëntorit
Rindërtimi i ngjarjes

Në aksidentin e parë do të përfshihej një autobus i Institutit të Lartë Bujqësor, me destinacion Sarandën.

Në të ndodheshin tre pedagogë, 14 studentë të kursit të Pemëtarisë, si dhe një ushtar (pasagjer).

“Pas një disheze të gjatë, që pasohej nga një kthesë e fortë, mjeti doli jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime”.

Nga ky incident rrugor mbetën të vrarë shoferi, njëri prej studentëve dhe pati të plagosur rëndë.

Fill pas kësaj, nga Tirana u nisën dy helikopterë të tipit: MJ-6=44 dhe MJ-6-50.

Dy fluturakët drejtoheshin nga komandantët Vangjel Postoli dhe Agron Galanxhiu.

Hapësira kohore nga aksidenti rrugor deri në mbërritjen e helikopterëve në Himarë ishte tri orë.

Vendimi

Sipas raportit, me të mbërritur, mes pilotëve nisi një diskutim lidhur me vështirësitë e kthimit.

Muzgu kishte nisur të binte, ndërsa mjegulla e dendur kishte mbizotëruar gjatë gjithë ditës.

Komandanti Vangjel Postoli

Gjendja e përkeqësuar e tre të plagosurve, konstatuar nga ekipi mjekësor, shtyu ushtarakët që të niseshin drejt Tiranës.

Itinerari që ata zgjodhën, ishte përgjatë bregut të detit nga Sazani – për në kryeqytet.

Të dy helikopterët u nisën njëri pas tjetrit në një distancë kohore prej tre minutash.

I pari fluturak që pati fat tragjik dhe regjistroi më shumë viktima ishte ai i drejtuar nga Komandant Postoli.

Tragjedi e dyfishtë

Në raport shkruhet se “ata u përplasën me malin mbi fshatin Vuno, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave që ishin në bord, si dhe shkatërrimin e plotë të helikopterit”.

I njëjti fat i kobshëm u njoftua në repartin ushtarak të Llogarasë edhe për fluturakun që drejtohej nga Komandant Galanxhiu.

Komandanti Agron Galanxhi

Ky ishte aksidenti i dytë, që u mori jetën nëntë personave të tjerë me një bilanc të frikshëm viktimash, plot 23.

Nga ekspertiza e kohës u vërtetua se rënia e autobusit ishte shkaktuar si pasojë e defekteve teknike në sistemin e frenimit.

“Lidhur me aksidentin ajror vërtetohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe se nuk ka pasur defekte teknike”, nënvizonte raporti.

Sipas autoriteteve, helikopterët kishin hyrë nën veprimin e një ere me intensitet të lartë, që nuk mundi të konstatohej nga pilotët para ngritjes.

“Keqësimi i menjëhershëm i konditave meteorologjike, era e fortë, rrufetë e mjegulla e dendur është shkaku kryesor që shkaktoi postimin e helikopterëve nga vija e rrugëkalimit dhe përplasjen e tyre në mal”, vijonte ekspertiza.

Viktimat e aksidentit të trefishtë

Viktimat e autobusit: Ali Omuri, shoferi i autobusit; Albert Smoka, student.

Viktimat e helikopterit MJ-6-44: Vangjel Postoli, komandant; Tafil Agaj, pilot; Pandeli Xhumba, mekanik; Misto Shumeli, i plagosur; Elida Hyseni, e plagosur; Donika Ferra, e plagosur; Zef Suli, i plagosur; Kujtim Hysi, mjek; Zana Floqi, mjeke; Dhurata Leka, ndihmësmjeke; Nafail Metollari, mjek në Himarë; Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

Viktimat e helikopterit MJ-6-50: Agron Galanxhi, komandant; Veledin Resuli, pilot; Enver Haka, mekanik; Thoma Plasa, i plagosur; Ilirjana Brahimi, e plagosur; Taip Llaçi, i plagosur; Xhelal Ndreu, i plagosur; Agim Qarri, mjek; Dionis Makoçi, mjek.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore