Shqipëria

Traditë muzikore: Tirana zgjohet nga “Banda e Qytetit”


Me ardhjen e vitit të ri dhe me angazhimin e pakët të ditëve të para, Banda e Qytetit ka zgjuar Tiranën nën ritmin e muzikës frymore.

E diela e 2 janarit ka shënjuar marshimin tradicional të bandës frymore të qytetit, e cila ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe jo vetëm.

Ky marshim u lajmërua gjatë së shtunës dhe përmbushi pritshmëritë e ditës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjodhi pikërisht këtë moment për të uruar në median sociale Facebook – ndjekësit e tij.

Grupi e nisi rrugëtimin melodik nga Sheshi Shopen si për të simbolizuar një pikënisje nga klasikja drejt modernes.

Ata e përvijuan ecjen e tyre me instrumente dhe performancë muzikore drejt rrugës Ibrahim Rugova.

Në të dyja kahet e rrugës dhe trotuarit, qytetarët dhe turistët ndalonin për të bërë një foto ose video.

Me hapin karakteristik, banda përshkoi të gjithë ish-Bllokun, që në vigjilje ishte mbushur me të rinj që dëfryen ndërrimin e viteve.

Banda e Qytetit e përmbylli shtegun melodik në Urën e bllokut mbi Lanë, për të ndarë edhe vetë traditën mes qytetit që gumëzhin e atij që përgatitet për vitin e radhës.

Banda e Qytetit

Banda e Qytetit përbëhet nga një dirigjent dhe 39 orkestrantë.

Ajo organizon aktivitetin e saj artistik në bazë të kalendarit të Bashkisë së Tiranës.

Grupi është pjesëmarrës në të gjitha eventet kulturore që zhvillohen në Qendrën Kulturore “Tirana”.

Banda ka për qëllim ruajtjen, mbrotjen dhe pasurimin e vlerave artistike të muzikës instrumentale.

Në përbërje të saj ka instrumenta si: trompë, trombon, pikolo, klarinetë, saks, bas, tambur, daulle, pjatë etj.

Kjo orkestër rinovon çdo vit repertorin e saj, e cila përfshin zhanre të ndryshme, si nga sfondi klasik po aq edhe nga ai popullor, marshe, hymne, etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore