Sport

Tottenham nis negociatat me Juventus-in për zbritjen e çmimit të Kulusevski-t


Tottenham ka nisur negociatat me Juventus-in për sbritjen e çmimit të Dejan Kulusevski-t.

Sulmuesi 23-vjeçar suedez iu bashkua Tottenham-it në një marrëveshje huazimi prej 18 muajsh me një detyrim të kushtëzuar për të blerë klauzolën e bashkangjitur – me vlerë 35 milionë euro dhe të lidhur me paraqitjet dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Dështimi i skuadrës londineze për ta siguruar një vend në Champions do të thotë se obligimi i blerjes së kartonit të futbollistit nuk do të aktivizohet, duke lejuar skuadrën e Premier League të përpiqet të rrisë çmimin e anësorit në pronësi të Juventus-it.

“La Gazzetta dello Sport” detajon se si Tottenham po kërkon një zbritje prej 10 milionë eurosh për Kulusevski-n, duke shpresuar të paguajë Juventus-in vetëm 25 milionë euro për sulmuesin suedez.

Bardhezinjtë nuk janë të prirur për këtë ide dhe do të preferonin të përpiqeshin ta shesin atë diku tjetër në vend që të pranonin 25 milionë euro.

Bisedimet mes dy klubeve janë në vazhdim, por Spurs duhet të rrisin ofertën e tyre nëse duan të mbajnë Kulusevski-n.

Kujtojmë që gjatë qëndrimit të tij prej 18 muajsh te skuadra Tottenham-it, Kulusevski u paraqit në 57 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave shënoi shtatë gola dhe dhuroi 16 asistime.

Ndërkohë, Juventus-i e bleu atë në vitin 2020 nga Atalanta për shumën e 35 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore