Top Channel: Sulm terrorist, goditi misionin e medias
Brixhilda Xhuraj
27.03.2023 12:20Ka reaguar tashmë zyrtarisht Top Channel pas sulmit të rëndë që ndodhi në orët e para të ditës së sotme.
Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës.
Top Channel e ka cilësuar si një “akt terrorist të paprecedent që është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë”.
Ajo bën me dije se, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës.
“Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel”, shkruhet në deklaratë ku jepet edhe një ngushëllim për familjarët.
Sipas, Top Channel sulmet e këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa “shqetësuese për minuesit e demokracisë”.
“Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare”.
Më tej në deklaratë theksohet se Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qenë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij.