Shqipëria

Top Channel i mbetet përfundimisht familjes Hoxha


Pas seancash gjyqësore ndër vite për pronësinë e Top Channel-it, Gjykata Kushtetuese ka njohur si pronar të vetëm dhe legjitimë të televizionit familjen Hoxha.

Me një shumicë votash prej shtatë vota pro dhe dy kundër, nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, e veja e themeluesit Dritan Hoxha, Vjollca Hoxha, si dhe fëmijët Lori Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha dhe Itan Hoxha, u janë njohur 100 për qind të aksioneve.

Përkatësisht nga 20 për qind secili.

Albert Sino dhe Aurel Baçi u bënë aksionerë fiktiv në vitin 2007, për shkak të një ngërçi ligjor të asaj kohe, kur KKRT (sot AMA) nuk lejonte që televizionet kombëtare të kishin një aksioner të vetëm.

Ndaj Dritan Hoxha iu besoi  atyre 60 për qind të aksioneve.

Me ndryshimin e ligjit, familja Hoxha u dha atyre mundësinë të tërhiqnin aksionet e tyre dhe të largoheshin nga Top Channel.

Por Albert Sino dhe Aurel Barçi vendosën të mos pranojnë tërheqjen nga aksionet.

Gjykata, me vendimin Nr.5259, datë 06.06.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lëshoi dëshminë e trashëgimisë ligjore të të ndjerit, duke caktuar si trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë bashkëshorten, paditësen Vjollca Hoxha, dhe fëmijët.

Por edhe ky vendim nuk u njoh nga dy ish-aksionerët.

Familja Hoxha e vijoi betejën në sistemin gjyqësor, ku Gjykata e Apelit të Tiranës, i dha të drejtë, duke rrëzuar si të pavlefshme kontratën e shitjes së aksioneve të Albert Sinos dhe Aurel Baçit.

Tanimë, vendimi është vulosur përfundimisht në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel i mbetet Vjollca Hoxhës dhe familjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore