Sport

Toni Kroos i hapur për rinovimin me Real Madrid-in: Dua ta mbyll karrierën këtu


Mesfushori i Real Madrid-it, Toni Kroos-i, ka shfaqur dëshirën për të zgjatur kontratën me kryeqytetasit. Aktualisht, gjermani ka kontratë në “Santiago Bernabeu” deri në verën e 2023.

Kroos-i mbërriti në Madrid nga Bayern Munich-u në vitin 2014. Që nga ajo kohë, ai ka qenë i pazëvendësueshëm në formacionin e Real-it. Këtë sezon është paraqitur 20 herë në të gjitha garat.

32-vjeçari foli në një intervistë për katalanasen “Mundo Deportivo”, duke thënë se dëshironte rinovimin me Real-in.

“Kohëzgjatja e kontratës u zgjodh në mënyrë të vetëdijshme. Kur të përfundojë, unë do të jem 33-vjeç dhe do të duhet të reflektoj për atë që do të vijë më pas”, tha Kroos-i.

“Është sezoni im i tetë me Madrid-in dhe kam një marrëdhënie të jashtëzakonshme me klubin dhe nuk do ta rrezikoja kurrë këtë. Mendoj se është diçka e ndërsjellë”.

“E kam thënë me qartësi se dua ta përfundoj karrierën time këtu dhe kjo mund të ndodhë”, theksoi gjermani.

Kampioni i Botës, nënshkroi me Real Madrid-in në 2014, pasi spanjollët paguan rreth 40 milionë euro te Bayern-i.

Që nga koha e mbërritjes në “Santiago Bernabeu”, Kroos-i numëron 345 paraqitje, në të gjitha kompeticionet. Ai ka shënuar 25 gola dhe ka dhuruar 83 asiste.

Gjermani ka fituar me Real Madrid-in dy herë La Liga-n, dy Superkupa të Spanjës, tre Champions League, dy Superkupa të Evropës dhe katër Kupa Bote për Klube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore