Lajme

Tolaj: Qeveritë dështuan në parandalimin e infeksionit


Ilir Tolaj-Infektolog

Të dielën është shënuar rekord i zi ku pandemia morri jetën 36 qytetarëve kosovar.

Sipas raportimit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHKP) përveç vdekjeve u regjistruan edhe 1 mijë e 630 raste të tjera pozitive me COVID-19.

Infektologu Ilir Tolaj ka vlerësuar se masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës të cilat kanë hy në fuqi të hënë e 30 gushtit janë të vonuara.

“Një veprim me kohë dhe i plotë para më shumë se 10 ditësh, kur i kam bërë këto rekomandime do të na kishte kursyer nga numri rekord i rasteve të reja me COVID-19 dhe padyshim numri i vdekjeve do të ishte më i vogël”.

“Derisa masat adekuate u vonuan tash kemi një reagim në panik, të paarsyeshëm të autoriteteve shëndetësore e qeveritare. Nga ekstremi i mos marrjes së masave dhe mungesës së mbikëqyrjes totale, madje në atë kohë ju zgjat orari i punës klubeve të natës dhe kafiterive, tash kemi mbyllje totale”.

Ai ka thënë se po të merreshin masat me kohë nuk do të kishim numër kaq të madh të vdekjeve dhe të infektuarve.

“Ndalimi i punës së klubeve të natës, ndalimi i dasmave dhe manifestimeve tjera të këtij lloji është masë adekuate edhe pse është marrë shumë vonë. Më shumë se një javë para se të merreshin këto masa, unë në paraqitjet e mia publike pata apeluar tek autoritetet shëndetësore të vendit që ta bëjmë urgjent një të tillë”.

Sheshi Nënë Tereza-Prishtinë

Ai ka thënë gjithashtu si kishte rekomanduar që puna e kafiterive të kufizohej edhe më shumë gjë që vlen ende.

“Është evidente se në këto vende fare nuk respektohen masat anti-COVID”.

Infektologu Tolaj konsideron se masat duhet të janë të tilla që stopojnë përhapjen e pakontrolluar të infeksionit dhe se mbyllja totale sipas tij nuk është zgjidhje.

Bartja e maskave në ambientet e hapura nuk është masë adekuate vlerëson Tolaj.

“Nuk ka nevojë as për bartje të maskave në ambient të hapur. Studimet kanë treguar madje se maskat që ne i përdorim, në mënyrën si i përdorim nuk mbrojnë as 10% nga infeksioni”.

“Jo, nuk e konsideroj se është masë adekuate. E thashë edhe më herët…madje me efekte jashtëzakonisht negative në të gjitha sferat e jetës”.

Situata aktuale pandemike në vend sipas Tolajt është krijuar  edhe nga niveli jo i duhur i vaksinimit  të popullsisë dhe fajtor për këtë janë të gjitha qeveritë që nuk arritën të sigurojnë vaksina me kohë.

“Për këtë e kanë fajin të gjitha qeveritë. Ato para kësaj sepse nuk siguruan vaksinat me kohë, kjo e tashmja gjithashtu se ishte joserioze në sigurimin e vaksinave dhe tash kur ka vaksina po del se nuk ka numër të mjaftueshëm për t’u bërë vaksinimi masiv”, ka thënë ai.

Variantet të reja të COVID-19 në çdo rrethanë mund të ndodhin si variant i ri ashtu siç erdhi varianti Delta thotë Tolaj.

“Përderisa do të ketë qarkullim të lirë ë virusit në mesin e popullatës atëherë do të ketë mundësi edhe për shfaqjen e ndonjë varianti i cili do të bëhet dominant në pjesë të caktuara ose në pjesën më të madhe të botës”.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi konsideron se varianti Delta ka rritur tej mase infeksionit.

Kjo po ndodh pasi që përhapja e tij është shumë më e lehtë dhe më e shpejtë.

“Duket se varianti Delta e ka rritë fuqinë e përhapjes dhe format e rënda të sëmundjes që po i shkakton. Një person i infektuar me variantet e mëparshme ka mundur t’i infektojë dy deri në tre persona të tjerë, ndërsa për person i infektuar me Delta, mund të infektojë gjashtë deri në tetë persona”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij edhe të vaksinuarit mund të jenë bartës të infeksionit.

“Nuk krijohet imunitet i plotë, pa e marrë edhe dozën e dytë të vaksinës, por edhe personat e vaksinuar mund të jenë shpërndarës të virusit”.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi

Drejtori Krasniqi ka treguar se situata në SHSKUK është e rëndë. Hapësirat spitalore janë të limituara ndërsa numri i pacientëve është çdo ditë e më shumë në rritje.

Ai ka bërë të ditur se të dielën në orët e vona të mbrëmjes kanë mbajtur një mbledhje së bashku edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ku kanë vendosur që të ndërpresin programet e intervenimeve kirurgjike dhe ato jo emergjente.

“Ne kemi ndërprerë programet elektive të intervenimeve kirurgjike, ato të natyrës jo-emergjente  dhe do të detyrohemi që të pezullojmë fatkeqësisht edhe shërbimet specialistike në mënyrë që të krijojmë vend për pacientët që do të shtrihen nëpër spitale”.

Krasniqi ka kërkuar durim nga ana e qytetarëve lidhur me vaksinat, pasi që për to tha se janë paralajmëruar ardhjet e kontingjenteve të tjera.

Nga ana tjetër Qeveria ka miratuar masat e reja ku përfshin orën policore nga ora 22:00, obligative bartja e maskës edhe nga të vaksinuarit, shërbime vetëm në ambiente të hapura për gastronomët ndërsa procesi mësimor është shty deri më 13 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore