
Ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç, ka biseduar me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët ka kërkuar që t’i thonë kryetarit të sapozgjedhur Lulzim Hetemit se qytetarët e mbledhur që po protestojnë në mënyrë paqësore, nuk do t’i shkaktojnë asnjë problem nëse dëshiron të largohet nga objekti i komunës.
“Ai është i lirë të largohet nga ndërtesa. Ne nuk pajtohemi me faktin se ai mund ta përfaqësojë këtë komb, sepse në zgjedhjet e 23 prillit nuk ka marrë pjesë asnjë serb, boshnjak, rom apo goran. Ne kemi dorëzuar dorëheqjet, sepse kemi pasur arsye për këtë”, tha ai para gazetarëve.
“Kërkesat tona kanë qenë që të formohet Asociacion dhe të tërhiqen të gjitha njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga këtu, sepse populli është i frikësuar”.
Ai ka theksuar se askush nuk ka asgjë personale kundër shqiptarëve, por se njerëzit nuk pajtohen me vendimet e “njëanshme dhe të paarsyeshme” të qeverisë së Kosovës.
“Ky popull po proteston në mënyrë paqësore këtu, ne nuk kemi nevojë për konflikte, por ky popull është i vendosur dhe do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre”.
“Pse Policia e Kosovës e ka përdorë dhunën dhe me dhunë e ka sjellë Hetemin këtu?”, ka pyetur ai.
“Pse s’po e pyesni Albin Kurtin pse nuk e ka dëgjuar këshillën e ambasadorit Hovenier dhe ambasadorëve të QUINT-it?”, ka vazhduar me pyetje ai.
Lulzim Hetemi nuk ka dalë ende nga objekti i komunës Leposaviqit.
Ai u fut brenda ndërtesës me ndihmën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës mesditën e së hënës dhe që nga atëherë nuk ka lëvizur nga aty.
Të mërkurën, ka folur për Albanian Post duke treguar se akoma nuk e ka ndarë mendjen se edhe sa gjatë do të qëndrojë brenda hapësirave të ndërtesës së Komunës.
“Kurrë më mirë s’kam qenë. Mirë jam, edhe me shëndet jam mirë”, pati treguar Hetemi për Albanian Post.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com