Shqipëria

Tjetër operacion antidrogë në Shqipëri, asgjësohen mbi 5 mijë bimë kanabis


Një operacion i radhës policor, në kuadër të luftës anti-kanabis në Shqipëri, është zhvilluar me rezultate të larta, duke çuar në asgjësimin e mbi 5 mijë bimëve narkotike.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, aksioni është shtrirë në Shkodër, Krujë, Lezhë dhe Tropojë.

Prej 5 mijë e 241 bimëve të gjetura në këto katër zona, 3 mijë e 155 janë lokalizuar në Shkodër.

2 mijë e 856 bimë janë gjetur në fshatrat Gjuraj, Kasnec, Brashtë, Nenmavriq, Lekaj, Nicaj, Ndërlysaj, Çilkok, Plan dhe Kir, të bashkisë Shkodër.

Ndërsa, 219 bimë janë gjetur në fshatrat Kroni i Madh dhe Qerret, të bashkisë Vau i Dejës dhe 80 bimë narkotike janë gjetur në fshatin Armiraj të bashkisë Fushë Arrëz.

Si rezultat i kontrolleve në malësinë e Krujës, në kuadër të fazës së 39-të të operacionit policor të koduar “Territor i pastër”, janë gjetur dhe asgjësuar 1 mijë e 485 bimë narkotike.

Në qarkun Lezhë, në kuadër të fazës së 40-të të operacionit policor të koduar “Imazhi”, janë asgjësuar në total 570 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

220 bimë narkotike janë gjetur në fshatin Zhejë ndërsa 82 bimë janë gjetur në fshatin Skuraj, të njësisë administrative Mamurras.

268 bimë narkotike janë gjetur në fshatin Gërnac të njësisë administrative Milot.

Në Tropojë, në kuadër të fazës së 11-të të operacionit të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, janë gjetur dhe asgjësuar 31 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Mbi 2 mijë punonjës policie ndërkaq, dhjetëra dronë dhe helikopterë, për të rikontrolluar territorin, nga ajri dhe nga toka.

Strukturat e drejtorive vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Tiranë, në drejtimin e Prokurorive respektive, vijojnë hetimet për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet në të gjitha zonat e vendit, duke përdorur helikopterë dhe dronë, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore