Sport

Tifozët e Olympiacos-it hyjnë në fushë për t’i rrahur gjyqtarët – “mjaft duruam”


Skuadra më e madhe greke, Olympiacos Piraeus, u mposht dje (të dielën, 23 prill) në shtëpi nga AEK-u i Athinës me rezultat 1:3.

Menjëherë pas përfundmit të ndeshjes, shpërtheu kaosi në stadiumin “Georgios Karaiskakis” nga tifozët vendas të cilët pushtuan fushën.

Siç theksohet nga e përditshmja britanike, “The Sun”, tifozët donin që “t’i qëronin hesapet” me gjyqatërët e këtij takimi, më konkretisht me atë kryesorin, italianin, Davide Massa-n, i cili sipas tyre ka bërë një referim skandaloz në këtë ndeshje.

Më pas, ishte një numër i madh i policëve të cilët e pushtuan fushën dhe u përballën me huliganët grekë të cilët vazhdimisht gjuanin sende të forta në drejtim të tyre, siç mund të shihet edhe në video.

Kujtojmë që gjyqtari, Massa, fillimisht refuzoi një penallti për Olympiacos-in, kur mbrojtësi i Kroacisë, Domagoj Vida, shtyu futbollistin e tyre, Cedric Bakambu-n.

Sipas “The Sun”, mesfushori i AEK-ut, Damian Szymanski, duhej të ndëshkohej me karton të kuq, pasi kishte shkelur drejtpërdrejtë kyçin e këmbës së Mathieu Valbuena-s.

Derisa edhe penalltia e dhënë për skuadrën mike konsiderohet e lehtë nga mbështetësit e Olympiacos-it.

Thënë ndryshe një referim skandaloz i quajtur nga ta, gjë që bëri që tifozët të zemërohen dhe ta pushtojnë stadiumin e tyre duke kërkuar llogari.

Klubi i Olympiacos, që është në pronësi të pronarit të Nottingham Forest, Evangelos Marinakis, lëshoi ​​një deklaratë të zjarrtë pas përfundimit të ndeshjes, derisa në një mënyrë e arsyetuan reagimin e tifozëve të tyre, duke thënë se atyre tashmë iu ka humbur durimi.

Ata e quajtën “të neveritshëm” referimin në këtë ndeshje, derisa patën akuza edhe ndaj Qeverisë së Greqisë, duke e quajtur “të paaftë” për t’i ndaluar këto veprime.

Në deklaratën e klubit thuhej: “Sot edhe të verbërit panë se çfarë po ndodh në futbollin grek”, thuhet në deklaratën e klubit grek.

“Mashtruesit e futbollit dhe të paligjshmet kanë treguar se nuk kanë asnjë shqetësim. Ne ju thamë se durimi i tifozëve tanë është duke u mbaruar! Ata ishin shumë të duruar”.

“Ata dhanë penallti në një moment që nuk kishte kontakt. Ata nuk kontrolluan as me VAR kur kishte një faull të qartë para portës së AEK-ut”.

“E gjithë Greqia mbeti e neveritur. Paaftësia e qeverisë për t’u marrë me ta vranë futbollin!”, shkruan klubi i Olympiacos-it.

Me këtë humbje, Olympiacos tani ka humbur edhe shpresat për t’u shpallur kampion, pasi që kanë rrëshqitur në vendin e tretë me 62 pikë, nëntë më pak se vendi i parë që mbahet pikërisht nga AEK-u.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore