Sport

Tifozët e Dortmund-it i bashkohen thirrjes “Bojkotoni Botërorin”


Tifozët e Borussia Dortmund-it kanë bërë thirrje që të bojkotohet Kupa e Botës, “Katar 2022”.

Para se të fillonte ndeshja mes tyre dhe Manchester City-t në mbrëmjen e kaluar në Ligën e Kampionëve, në shkallët e stadiumit “Signal Iduna Park” u shfaq një pankartë ku shkruhej “boycott Qatar 2022”.

Gjermanët nuk janë të vetmit që e kanë bërë këtë gjë, pasi që janë të shumtë ata që kritikuan vendimin që Kupa e Botës të zhvillohet në një vend pa traditë në futboll.

Përveç kësaj, zërat kundër zhvillimit të Kupës së Botës atje, u shtuan edhe më shumë në momentin kur nga Katari vinin lajme se çdo ditë vdisnin punëtorë në përpjekje për të ndërtuar në kohë impiantet sportive.

Pretendimet janë se ata punonin pa kushte sigurie dhe shfrytëzoheshin nga autoritetet në Katar ndërsa ky shtet nga evropianët cilësohet si një vend ku shkelen të drejtat e njeriut.

Kujtojmë se pak kohë më parë, Danimarka që ka qenë një nga zërat më të fortë kundër Katarit, prezantoi fanellën e Kupës së Botës, ku binte në sy ajo e treta.

E gjitha në të zezë, teksa sponsori zyrtar i danezëve, “Hummel”, sqaroi se kjo zgjedhje i dedikohej humbjeve të jetës në Katar.

Kujtojmë që Kupa e Botës do të fillojë më 20 nëntor, derisa është hera e parë në histori që kjo ngjarje do të zhvillohet jashtë stinës së verës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore