Sport

Tifozët e “Crvena Zvezda-s” “nderojnë” terroristin Stefan Nedeljkoviç që u vra në Banjë


Grupi i tifozëve të Crvena Zvezdas, Delije, të mërkurën gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Young Boysit kanë “nderuar” sulmuesin e vrarë në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, Stefan Nedeljkoviç.

Nedeljkoviç ishte tifoz i madh i klubit të Beogradit, por edhe bashkëpunëtor dhe “dora e djathtë” e ish- nënkryetarit të Listës Sërpska, Milan Radojiçiç i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Më 29 qershor, 31-vjeçari serb ishte shpallur terrorist me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Ai ishte pjesë e grupit terrorist “Severna Brigada” që dyshohet se udhëhiqet nga kriminale Radojiçiçi.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore