Lajme

Themeluesi i FTX-së arrestohet në Bahamas


Policia e Bahamas-it ka arrestuar, Sam Bankman-Fried, themeluesin e platformës së shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, që tashmë ka falimentuar.

Autoritetet atje sqaruan se ai do të paraqitet në një gjykatë të magjistraturës në Bahamas të martën.

Policia tha se Bankman-Fried u arrestua për “Shkelje financiare” kundër ligjeve në SHBA dhe Bahamas.

Muajin e kaluar FTX-ja bëri kërkesë për falimentim në SHBA, duke bërë që shumë përdorues të mos tërheqin fondet e tyre.

Është e paqartë se sa do të marrin njerëzit që kanë fonde aty, në fund të procedurave të falimentimit, megjithëse shumë ekspertë kanë paralajmëruar se mund të jetë një pjesë e vogël e asaj që ata kishin depozituar.

FTX-ja i lejoi klientët të tregtonin para normale për kriptovaluta si Bitcoin.

“Zoti Bankman-Fried do të mbahet në paraburgim në përputhje me Aktin e Ekstradimit të vendit tonë”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i Bahamas.

Rregullatorët e Wall Street thanë gjithashtu se do të merrnin masa kundër Bankman-Fried.

“Ne përgëzojmë partnerët tanë të zbatimit të ligjit për punën për të siguruar arrestimin e zotit Sam Bankman-Fried në Bahamas për akuza penale federale”, tha në një deklaratë zyrtari i Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimeve të SHBA (SEC), Gurbir Grewal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore