Lajme

Themelimi i Asociacionit është urgjencë, dështimi nënkupton pasoja, thotë BE në 11-vjetorin e marrëveshjes


Peter Stano

Për Bashkimin Evropian themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është urgjencë, ndërsa dështimi në këtë drejtim nënkupton pasoja.

Këtë qëndrim, Unioni e ka shprehur përmes zëdhënësit të saj, Peter Stano, në një konferencë për media të premten, derisa foli për 11-vjetorin e marrëveshjes Kosovë-Serbi (19 prill 2013).

Stano ka theksuar se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet që të implementohen, pasi që e kundërta sjell pasoja serioze për popujt e të dyja vendeve përkatëse.

“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen”, tha fillimisht ai.

Zëdhënësi i BE-së ka qenë më konkret sa i përket Asociacionit. Ky mekanizëm, në sytë e bllokut, është thelbësor dhe urgjent për zbatim.

“Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar, kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet ta implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, ka deklaruar ai.

Progresi në zbatimin marrëveshjeve të arritura në dialog, ka shtuar ai, është i lidhur drejtpërdrejtë në përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE.

Nëse Prishtina dhe Beogradi nuk përmbushin detyrimet e tyre, Stano ka paralajmëruar se do të ketë pasoja serioze, dhe ata që do t’i pësojnë janë popujt e dy vendeve përkatëse.

“Dhe nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre, do të ketë pasoja serioze dhe të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre”, shtoi.

Të vetmit që do të paguajnë për këtë, ka theksuar Stano, do të jenë njerëzit në Kosovë e Serbi, “nëse nuk ka lëvizje në përmbushjen e zotimeve që janë marrë në kuadër të dialogut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore