Lajme

Thellimi i raporteve Kosovë-Kenia, në fokus të takimit Osmani-Ruto


Vjosa Osmani dhe William Ruto

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të konferencës kryesore globale për ndryshime klimatike (COP28) në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto, ku kanë diskutuar për thellimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.

“Në takim u diskutua për raportet dypalëshe Kosovë-Kenia si dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani ka theksuar se thellimi i raporteve në mes të dy shteteve është në të mirë të qytetarëve tanë dhe do ta nxisë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të vendeve tona”, thuhet në njoftim.

Shteti i Kenias ka shprehur gatishmërinë për të njohur pavarësinë e Kosovës kohën e fundit. Ministri i Jashtëm i Kenias, Alfred Mutuar, gjatë një konference për media në Nairobi në shtator, ka konfirmuar se ekzekutivi është duke shqyrtuar mundësinë e njohjes së pavarësinë e Kosovës.

Ky nuk është takimi i parë midis Osmanit dhe Rutos. Dy udhëheqësit ishin takuar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku edhe ishin zotuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Osmani gjatë ditës ka takuar edhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku është biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçamërisht në rritjen e investimeve në energji, shëndetësi, turizëm dhe sektorë strategjikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore