Lajme

“Thellimi i marrëdhënieve me Guinea Bissau”, çështje diskutimi mes Osmanit dhe Sissoco


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo, me të cilin ka diskutuar për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Guinea Bissau.

Takimin e ka bërë të ditur Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’.  

“Gjatë takimit tonë të pestë së bashku, diskutuam për potencialin e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”, ka shkruar ajo.

Takimet e ambasadorëve të Kosovës me përfaqësues të shteteve afrikane janë shpeshtuar muajve të fundit pasi Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, javë më parë kishte pretenduar se nëntë shtete, kryesisht nga Afrika, tashmë kanë ndryshuar pozicion në raport me shtetësinë e Kosovës, në mesin e tyre ishte edhe Guinea Bissau.

Osmani, këtë të premte ka udhëtuar për në Turqi, pasi ka marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

Lajmi ishte bërë i ditur nga presidenca, derisa kanë njoftuar se ftesa i është bërë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: ‘Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash’”, thuhet në njoftim.

Gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1deri më 3 mars.

Osmani në Forumin e Antalisë: Zgjodhëm dialogun si mënyra e vetme paqësore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore