TheGeopost: Grupet paraushtarake serbo-ruse bashkëpunojnë për ta sulmuar Kosovën dhe Perëndimin

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
17.12.2022 17:14
Loading Icons...

Portali “TheGeopost” i cili sponsorizohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, shkruan se marrëveshja e nënshkruar mes Serbisë dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara më 23 shtator 2022, kulmoi me kërkesën e palës serbe për ta kthyer personelin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Rusia është e vetmja fuqi botërore që përsërit rregullisht gatishmërinë e saj për t’i ofruar Serbisë “garanci” për Kosovën, prandaj siç shkruan “TheGeopost”, Alexander Bocan Kharchenko, ambasadori rus në Beograd, shprehu menjëherë mbështetjen e Rusisë për kërkesën qesharake të zyrtarëve serbë drejtuar KFOR’it.

Madje, sipas analizës së “TheGeopost”, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të rritur presionin ndaj Kosovës, NATO-s, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, sidomos pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka shtuar koordinimin e aktiviteteve me rusët.

“Rusët tani janë të pranishëm në barrikada, duke bërë fushata propagandistike, duke organizuar protesta dhe ndoshta duke përgatitur sulme terroriste në bashkëpunim me organizatat paraushtarake dhe shtetërore serbe”.

Ilustrim

Ndërkaq, hapja e degës së organizatës paraushtarake ruse “Wagner” në Serbi, nga “TheGeopost” shihet si tjetër synim i Serbisë për të përshkallëzojë situatën e sigurisë në rajon, duke filluar nga veriu i Kosovës.

Shqetësimet janë rritur edhe nga grupet shoviniste serbe dhe ruse, të cilët siç potencon “TheGeopost”, po thërrasin dhe po mbajnë protesta mobilizuese në Serbi dhe më gjerë, me qëllim që të sulmojnë Kosovën dhe Perëndimin.

“Këto grupe kanë thirrur një protestë që do të mbahet më 18 dhjetor 2022 në Jarinjë, me mesazhin: “Nuk ka kufij, Kosova është Serbi””.

“Më 15 dhjetor, grupi paraushtarak Ujqërit e Natës, i cili ka lidhje të drejtpërdrejta me (Vladimir) Putinin dhe mbështetet financiarisht nga ai, publikoi një video kërcënuese në veri të Kosovës në mbështetje të Serbëve dhe barrikadave”.

Po ashtu, njëra ndër arsyet tjera të koordinimit mes Serbisë dhe Rusisë, është edhe emërimi i Aleksandër Vulin’it në postin e drejtorit të Shërbimit Intelegjent të Serbisë dhe sipas mediumit të pavaruar ballkanik “ka hapur dyert për rritjen e mëtejshme të ndikimit rus brenda shërbimit serb”.

“Operacionet subversive serbo-ruse në rajon tani janë më evidente se kurrë”, pohojnë autorët e artikullit dhe “për këtë mund të përdoret edhe ‘Qendra Humanitare Ruso-Serbe'”.

“TheGeopost” kujton se Vulin është një politikan pro-rus i cili ka lansuar politikën irridentiste e nacionaliste të së ashtuquajturës “Bota Serbe” e cila synon t’i bashkojë të gjithë serbët që jetojnë në Ballkan në një shtet të vetëm, sipas modelit të “Botës Ruse”.