Lajme

The Weeknd bëhet artisti i parë në histori me 100 milionë dëgjues mujorë në Spotify


Historia është sërish në anën e tij.

Muzikanti kanadez Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, është bërë artisti i parë në platformën Spotify, i cili ka arritur të ketë 100 milionë dëgjues mujorë.

Shifrat i ka përditësuar vetë kompania suedeze e transmetimit muzikor, duke e përcaktuar këngëtarin e rrymës R & B si të parin në histori, i cili e arrin këtë shifër të rëndësishme.

Prej më shumë se një viti, The Weeknd ka qenë artisti më i dëgjuar në platformën më të madhe të transmetimit muzikor në botë dhe përtej suksesit të vitit të fundit të albumit të tij të shtatë, “Dawn FM”, ndikim në këtë kanë pasur edhe rikthimet e sukseseve të tija të vjetra, duke parë veçanërisht një rritje të madhe të dëgjueshmërisë, sa i përket albumit të tij “Starboy”.

Hiti “Die for You”, u rikthye në vëmendje pas më shumë se gjashtë vitesh, duke rrëmbyer vendin e këngës më të luajtur në radiot amerikane dhe duke u futur për herë të parë në radhitjen e 10 më të mirave të Billboard.

Me versionin e ri të këngës, në bashkëpunim më këngëtaren Ariana Grande, ajo pritet të marrë edhe një shtysë më të madhe, e cila mund ta çojë deri në top listën e Billboard.

Gjithashtu, The Weeknd ka pasur edhe bashkëpunime me sukses muajt e fundit, ku për t’u përmend është ai me Metro Boomin dhe 21 Savage, për “Creepin”, një këngë e rimasterizuar e origjinalit “I don’t wanna know”, e kënduar në vitet fillimvitet 2000 nga Mario Winans dhe Puff Daddy.

Një videoklip mbi këtë këngë është gjithashtu në punim e sipër.

Ndërsa, për kanadezin, një epokë e re pritet të vijë në jetë, ku siç ka bërë ai vetë me dije, epoka e “Dawn FM” është përmbyllur tashmë dhe pas turit botëror në Evropë dhe Amerikën e Jugut, mendohet se projekte të reja muzikore do të hidhen në treg nga ai, për të plotësuar edhe kronologjinë e trilogjisë, e cila filloi me “After Hours”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore