Kosova

“The Conversation”: Tensionet Kosovë-Serbi enden si fantazmë brenda BE-së


Ilustrim

Rrjeti i mediave jo-profitabile “The Conversation” me bazë në Australi, në një artikull të fundit ka shkruar në lidhje me impotencën e Bashkimit Evropian (BE) për t’i zgjidhur problemet në kontinent, përfshirë tensionet gjinjë e më të mprehta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas ngjarjeve vdekjeprurëse në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

Në artikull thuhet se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë neglizhuar rajonin e Ballkanit Përëndimor, duke shpresuar se joshja e anëtarësimit të rajonit në BE do të mjaftonte për të qetësuar Serbinë dhe vendet e tjera. Por, sipas rrjetit mediatik australian, dështimi i vendeve perëndimor në këtë drejtim tani kërcënon të minojë vetë BE-në.

Aty thuhet se perspektiva e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Aty thuhet se Serbia ka dështuar në përmbushjen e standardeve evropiane, përfshirë reformat në gjyqësor.

Gjithashtu aty thuhet se bashkësia e organizuar ndërkombëtare nuk duhet të injorojë nevojën që Serbia të vazhdojë reformat në mënyrë që të përmbushë kërkesat e vazhdushme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. BE-ja thuhet se ka një traditë të gjatë të anashkalimit të kërkesave të saj kur sheh përfitime afatgjata nga integrimi i shpejtë.

“Greqia, Estonia dhe vende të tjera janë pranuar në BE, pavarësisht faktit se nuk kanë arritur të përmbushnin standardet e saj. Kjo për shkak se BE-ja ka pranuar kombe për arsye ideologjike dhe përfitime politike të perceptuara nga pranimi i tyre”, thuhet ndër të tjera në këtë artikull.

E gjasat që BE-ja t’i vendosë sanksione Serbisë për shkak të dyshimeve për përfshirjen në sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së.

“Problemi me kërcënime të tilla, megjithatë, është se atyre u mungon thelbi. BE-ja, me shqetësime më të mëdha të brendshme dhe ndërkombëtare, është e kufizuar në aftësinë e saj për të ushtruar presion. Shpërthimi i fundit i luftës midis Izraelit dhe Hamasit vetëm sa do ta bëjë më të vështirë aftësinë e BE-së për t’u fokusuar në Serbi”.

Në artikull tutje thuhet se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Serbisë, derisa përmendet fakti se kryeministri hungarez Viktor Orban mbështet hapur presidentin serb Alesandër Vuçiç dhe, rrjedhimisht, refuzon të pajtohet për vendosjen e sanksioneve.

“Mbështetja e BE-së për Ukrainën tashmë po përballet me sfida nga anëtarë sikurse Sllovakia. Dështimi i BE-së për t’u marrë me Serbinë në të kaluarën vetëm do të nxisë sfida të tilla dhe do të pengojë më tej aftësinë e organizatës për t’iu përgjigjur krizave sikurse në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore