Film

“The Batman” errëson globin më 4 mars


Pamje nga traileri i "The Batman"

Ngjarja më e madhe e dashamirësve të universit të DC Comics, “Fandome”, u zhvillua për të tretin vit radhazi dhe u transmetua globalisht online, ku ngjarja kulminante ishte pa asnjë diskutim shfaqja e trailer-it zyrtar për filmin e shumë pritur, “The Batman”.

Data zyrtare për pushtimin e ekraneve të mëdhenj, do të jetë 4 marsi i vitit 2022.

Pas vitesh të gjata pritje, miliona fansa në gjithë botën, do të kenë mundësi të rishohin në kinema superheroin e tyre të preferuar – sërish ndryshe.

Nën interpretimin e Robert Pattinson, versioni i ri i Batman-it, do të jetë si asnjë më parë.

Regjisori i filmit, Matt Reeves, ka zgjedhur që ngjarjen, ta bazojë në vitin dy për sa i përket universit të “vigjilentit të zi”.

Më parë, filmat janë bazuar kryesisht në periudhën e origjinës apo të vonë të Batman-it. Këtë herë, viti dy, do të sjellë një Bruce Wayne ende të ri, të mllefosur dhe gati për të bërë çdo gjë mbi zhbërjen e krimit në rrugët e errëta të Gotham-it.

Antagonistët, do të jenë dy: The Riddler, do të interpretohet nga aktori Paul Dano ndërsa The Penguin, do të vijë nën interpretimin e aktorit të njohur Colin Farrell.

Zoe Kravitz, do të jetë në rolin e Catwoman, roli i parë i rëndësishëm në karrierën e saj kinematografike.

Në pamjet e reja ekskluzive të trailer-it të ri, ajo çfarë bie më shumë në sy, është kinematografia mjeshtërore e Matt Reeves, me efekte të paeksperimentuara më parë në industrinë e Hollywood-it.

Reagimet në rrjet kanë qenë të menjëhershme mbi vizualen e filmit. Ngjyrat e errëta, përdorimi i shpeshtë i zjarrit dhe konteksti suburban, e vendosin “The Batman” në rrugën e duhur, për të pasuar paraardhësit tepër të suksesshëm të mëparshëm.

Nën drejtimin e Matt Reeves, kjo pritet të jetë trilogjia e parë e “lakuriqit të natës” pas asaj të Christopher Nolan, e cila e ngjiti botën e superheronjve në piedestal dhe e vendosi në pozitat e sotme, si një ndër sektorët më fitimprurës të industrisë së filmit.

Me shtyrjen e pandemisë, The Batman nuk ja doli të ishte gati në vitin 2021.

Por, shtyrje, nuk do të ketë më. Dita e madhe për fansat e DC është caktuar.

Më 4 mars, globi errësohet dhe projektorët, do të jenë vetëm për atë. The Batman!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore