Lajme

Thaçi mbetet në paraburgim


Hashim Thaçi

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së mërkurë i është vazhduar masa e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kjo është bërë e ditur nga avokati i tij, Gregory Keohe, në konferencën për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite”, tha Gregory duke shtuar se do të dërgojnë ankesë për këtë vendim.

Avokati i Thaçit gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Speciale një seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij si dhe të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe

Sipas tij, Prokuroria në Gjykatën Speciale po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë së Kosovës nuk mund të besohet lidhur me garancën se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.

“Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës. Këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura”, ka thënë Smith.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore