Kosova

Thaçi e Veseli duhet të mbesin në paraburgim – vendimi i fundit i Speciales


Hashim Thaci dhe Kadri Veseli

Nuk ka prova se Hashim Thaçi e Kadri Veseli mund t’i ikin drejtësisë, por ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, meqë Gjykata Speciale konsideron se mund të “pengojnë drejtësinë”, thuhet në vendimin e fundit të marrë nga gjyqtari Charles Smith.

Vendimi u dha me 15 dhjetor dhe një tjetër kërkesë nga pala mbrojtëse për “mbrojtje të liri” do të mund të bëhet vetëm me 29 janar të vitit të ardhshëm.

“Për arsyet e dhëna më lartë (rreziku për të ndërhyrë në drejtësi) paneli urdhëron që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi”, thuhet në vendimin e publikuar nga Gjykata Speciale.

Për të njëjtat arsye si për Thaçin edhe për Veselin “urdhërohet vazhdimi i paraburgimit”.

Po ashtu për Veselin shkruhet se mund merret një tjetër vendim jo më vonë se 29 janari i 2024-së.

Hashtim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë edhe me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – të gjithë ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – po mbahen në burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për shkak se akuzohen për krime lufte.

Ata akuzohen për periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Në një proces të ndarë, për krime lufte akuzohet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Mbi të rëndojnë akuza se ka drejtuar një burg të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

Edhe Shala i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur “të fabrikuara”.

Specialja tashmë ka dhënë edhe dënimin e parë, atë për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, i cili u dënua në shkallën e parë me 26 vjet burgim, me akuzën kryesore për vdekjen e një personi që dyshohet se ishte mbajtur dhunshëm në Zllash, një burg i improvizuar po ashtu.

I njëjti më pas ishte gjetur i vdekur në një tjetër vend dhe gjykata nuk ka arritur të gjejë ndërlidhje mes Mustafës e viktimës, përveç faktit se, sipas dëshmitarëve ai ka qenë në burgun e Zllashit për një kohë.

Përkundër mungesës së provave dhe deklarimeve kundërthënëse të dëshmitarëve të prokurorisë, Specialja e dënoi me 26 vjet burg, derisa Apeli e uli dënimin në 22.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore