Aplikacione

Texas-i padit Meta-n, shkak mbledhja e të dhënave mbi njohjen e fytyrës


Texas-i ka paditur kompaninë mëmë të Facebook-ut, Meta, mbi akuzat se ka mbledhur ilegalisht të dhënat e njohjes së fytyrës të dhjetëra milionë banorëve të shtetit për një dekadë.

Padia argumenton se një veçori tashmë e mbyllur e etiketimit të fotografive në Facebook nuk arriti të merrte pëlqimin e informuar të vendasve përpara se të mblidhte të dhënat e tyre.

Agjencia e lajmeve, “CNN”, tregon se funksioni analizonte fytyrat në foto dhe rekomandonte që përdoruesit e Facebook-ut të etiketonin njerëzit që mjeti identifikonte.

Në nëntor të vitit 2021, Facebook-u njoftoi se do të ndërpresë këtë mjet, disa muaj pasi zgjidhi një padi të grupit në Illinois për të njëjtën çështje për 650 milionë dollarë.

Kompania, asokohe, bëri me dije se do të fshinte gjithashtu të dhënat që kishte mbledhur nga të paktën 600 milionë përdorues që kishin qenë pjesë e programit.

Prokurori i Përgjithshëm i Texas-it, Ken Paxton, ka thënë se Facebook-u kishte mbledhur të dhëna biometrike në kundërshtim me ligjin e shtetit për mbrojtjen e konsumatorit dhe privatësinë e të dhënave biometrike miliarda herë.

Ky ligj i të dhënave biometrike në Texas, ndryshe Akti i kapjes ose përdorimit të identifikuesit biometrik (CUBI), është miratuar që në vitin 2009.

Në përgjigje të padisë, një zëdhënës i Meta-s ka thënë se “këto pretendime janë të pabaza dhe ne do të mbrohemi fuqishëm”.

“CNN’ dallon se sipas padisë, nga viti 2010 deri në qershor 2011, Facebook-u “detyroi fshehurazi miliona njerëz të Texas-it në një skemë të njohjes së fytyrës pa pëlqimin e tyre të informuar”.

Nga ana tjetër, padia shënon kulmin e një hetimi shumëvjeçar nga zyrtarët e Texas-it për software-in e njohjes së fytyrës së kompanisë Meta dhe se si ai ka shkelur ligjin e shtetit.

Gjithashtu nënvizon se si njohja e fytyrës po vihet gjithnjë e më shumë nën vëzhgim teksa politikëbërësit dhe publiku bëhen më skeptikë ndaj platformave teknologjike.

Padia nxjerr se edhe pse Facebook-u e pezulloi programin e njohjes së fytyrës, Meta “nuk ka bërë asnjë angazhim të tillë në lidhje me asnjë nga platformat ose operacionet e tjera nën ombrellën e saj të korporatës”.

Ajo kërkon që gjykata të vendosë një gjobë civile prej 25 mijë dollarësh ndaj Meta-s për shkelje të ligjit biometrik të shtetit dhe 10 mijë dollarë për shkelje të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve në Texas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore