Lajme

Texas-i lufton katastrofën e dytë më të madhe të zjarrit në historinë e shtetit


Një zjarr masiv në Texas që po përhapet me shpejtësi ka vrarë një person, ka detyruar banorët të evakuohen, ka ndërprerë energjinë në shtëpi dhe biznese dhe ka ndërprerë për pak kohë operacionet në një strukturë të armëve bërthamore.

Zjarri i dytë më i madh në historinë e Texas-it, ka djegur 850 mijë hektarë tokë në veri të qytetit të Amarillo.

Bari i thatë, temperaturat e larta dhe erërat e forta janë ndër faktorët që kanë nxitur flakët.

Shërbimi Pyjor i Texas-it ka bërë me dije se erërat ishin zvogëluar pak, duke ndihmuar në zbutjen e përhapjes së zjarrit.

Sakaq, priten reshje shiu në zonën veriore të shtetit, gjë që mund të ndihmojë përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Smokehouse Creek Fire, siç është quajtur, tashmë ka rrafshuar gjysmë milioni hektarë.

Dhe mbetet pas zjarrit të Kompleksit East Amarillo, i cili dogji mbi 900 mijë hektarë në vitin 2006.

Zjarri i Smokehouse Creek ka bërë që disa qytete, një lagje në qytetin e Amarillo dhe komunitete të tjera të evakuohen, sipas shërbimit pyjor.

Po ashtu Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar banorët pranë Amarillos që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të cilësisë së dobët të ajrit.

Texas-i ka lëshuar paralajmërime edhe për fermerët për ndikimin e mundshëm në bujqësi dhe blegtori.

Në zonën e prekur, më shumë se 4 mijë e 500 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.

Shqetësimet rreth përhapjes së zjarrit në veri të vendit të armëve bërthamore Pantex në Amarillo e detyruan objektin të mbyllet përkohësisht dhe të evakuojë stafin të martën mbrëma.

Fabrika është një vend kyç për montimin, çmontimin dhe mirëmbajtjen e armëve bërthamore të SHBA-ve.

Sakaq, shërbimi pyjor ka bërë me dije se po luftonte edhe me zjarre të tjera në Texas.

Temperaturat e larta të papritura kanë çuar në zjarre në shtetet e afërta, duke përfshirë Nebraskën dhe Kansasin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore