Sport

Tetë mjekë akuzohen për vrasjen e Maradona-s


Ndaj tetë mjekëve rëndon akuza për vrasjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona.

Legjenda e futbollit argjentinas ndërroi jetë më 25 nëntor të vitit 2020, si pasojë e një arresti kardiak, ndërkohë që më parë problemet shëndetësore të tij ishin të njohura.

Ish-futbollisti, në momentin kur ndërroi jetë, ishte në shtëpinë e tij pas një operacioni të ndërlikuar në kokë.

Pikërisht për arsyen që e dërguan në shtëpi dhe nuk e mbajtën më gjatë në spital, mjekët që u kujdesën për Maradona-n përfunduan të akuzuar, teksa Gjykata e San Isidros, komunë e Buenos Aires, ka vendosur të akuzojë tetë mjekë për vrasje.

I pari në listë është neokirurgu Leopoldo Luque, psikiatria Agustina, psikologu Carlos Dias, doktori që u kujdes për Maradona-n në kushtet e shtëpisë Nancy Forlini, koordinatori i inferimierëve, Marriano Perroni, infermieri Ricardo Almiron, infermieria Dahiana dhe Pedro di Spagna.

Sipas gjykatës, emrat e sipërpërmendur nuk kanë marrë masat e duhura parandaluese për përkeqësimin e shëndetit të ish-futbollistit të Napolit, duke u bërë të dyshuar në këtë formë në vdekjen e tij.

Të tetë personat nuk janë të ndaluar për momentin, por rrezikojnë nga tetë deri në 25 vite burg, teksa ende nuk është përcaktuar data e gjykimit.

Ndërkaq, këta persona kanë mohuar përgjegjësinë për vdekjen e Maradona-s dhe gjykatësi ka thënë se avokatët e disa prej tyre kishin kërkuar që çështja të pushohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore