Lajme

Testohet për të parën herë te njerëzit gjaku i prodhuar në laborator


Shkencëtarët kanë transfuzuar qelizat e kuqe të gjakut të prodhuara në laborator te një vullnetar në një sprovë të parë botërore.

Për ta, kjo provë e parë ka potencial të madh për njerëzit me grupe gjaku të vështira për t’u përshtatur.

Ky hulumtim  mund të nënkuptojë një ditë fundin e kërkimeve të gjata për donatorë të pajtueshëm ose për reaksione të rrezikshme të transfuzionit.

Transfuzioni eksperimental u krye në Spitalin Addenbrooke në Cambridge, Angli, si pjesë e një përpjekjeje bashkëpunuese midis shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

E gjitha për të kuptuar se si mund të funksionojnë transfuzionet e gjakut të bëra në laborator.

Shkencëtarët morën gjak nga donatorët në një bazë të dhënash në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndanë qelizat burimore.

Ata i rritën qelizat e kuqe të gjakut nga ato qeliza burimore dhe i transfuzuan në dy vullnetarë të shëndetshëm.

Transfuzionet përfshinin vetëm një sasi të vogël gjaku: e barabartë me një ose dy lugë çaji. Një transfuzion standard gjaku do të përfshinte qindra herë më shumë se kjo sasi.

Kjo fazë e provës përfshin dy transfuzione të vogla me një distancë prej të paktën katër muajsh, njëra me një dhurim standard të qelizave të kuqe të gjakut dhe tjetra me qeliza të bëra në laborator nga i njëjti dhurues.

Sakaq, studiuesit po i monitorojnë nga afër vullnetarët për të përcaktuar nëse procesi ishte i sigurt. Deri më tani nuk ka pasur “asnjë efekt anësor të padëshiruar”.

Po ashtu po shohin se sa kohë zgjasin qelizat e rritura në laborator krahasuar me një infuzion të qelizave të kuqe standarde të gjakut.

Zakonisht qelizat e kuqe të gjakut zgjasin rreth 120 ditë, por një transfuzion nga një dhurim standard përmban qeliza të moshave të ndryshme, sepse palca i prodhon vazhdimisht këto qeliza.

Më parë, testet kanë treguar se qelizat e prodhuara funksionojnë si qeliza normale dhe se këto qeliza të prodhuara në laborator ka të ngjarë të mbijetojnë më gjatë në përgjithësi gjatë qarkullimit.

Dhe studimi i fundit do të përcaktojë për herë të parë nëse kjo është e vërtetë.

Ai mund të sjellë një ndryshim për njerëzit me çrregullime gjenetike në të cilat trupi i tyre nuk mund të prodhojë qeliza të kuqe të gjakut ose qelizat e gjakut që ata kanë nuk funksionojnë mirë.

Qelizat e kuqe të gjakut janë qelizat ndihmëse që transportojnë oksigjenin nga mushkëritë në indet e trupit, të cilat e përdorin këtë oksigjen për të prodhuar energji.

Ky proces gjeneron edhe mbetje në formën e dioksidit të karbonit që qelizat e kuqe të gjakut i çojnë në mushkëri për t’u nxjerrë jashtë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore