Lajme

Tesla tërheq 947 automjete, shkak vonesa në shfaqjen e pamjeve të pasme


Kompania Tesla po tërheq 947 automjete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse imazhi i pamjes së pasme mund të mos shfaqet menjëherë kur kthehen mbrapa.

Kështu ka bërë me dije Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA).

Tesla i ka thënë NHTSA-së se tërheqja mbulon disa automjete Model S, Model X dhe Model 3, të pajisura me Autopilot Computer 2.5.

Automjetet nuk përputhen me një standard federal të sigurisë për dukshmërinë e pasme, kështu që Tesla do të kryejë një përditësim të software-it për të adresuar problemin.

Sakaq, autoriteti përgjegjës ka thënë se imazhi i vonuar i kamerës së pasme redukton pamjen e pasme të shoferit dhe rrit rrezikun e një përplasjeje.

Tërheqja e fundit është pjesë e një serie të mëparshme që  ka kryer kompania për çështjet e software-it muajt e fundit.

Sipas kompanisë, “një hetim inxhinierik mbi gjendjen e automjetit identifikoi një gabim software-ësh si një shkak të mundshëm për vlerësim të mëtejshëm”.

Pas bisedimeve mes Tesla-s dhe NHTSA-s për të shqyrtuar ankesat e konsumatorëve që pretendonin se shfaqeshin imazhe të vonuara ose të padisponueshme, u kryen më shumë se një duzinë testesh.

Tesla ka thënë se, paçka se “nuk gjeti një mospërputhje në testet që kreu, tërheqja u vendos nga kujdesi për të njohur praninë e mundshme të një mospërputhjeje në automjetet e prekura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore