Lajme

Tesla mund ta fitojë betejën për çmimin e makinave në Kinë, por mund ta humbasë luftën


Çmimet e ulura i kanë dhënë një rritje shitjeve të Tesla-s në Kinë.

Mirëpo, analistët paralajmërojnë se prodhuesi amerikan i automjeteve duhet të përmirësojë lojën e tij afatgjatë për të shmangur mbytjen nga rivalët që lëvizin shpejt në tregun e automjeteve elektrike.

Uljet e çmimeve të Tesla-s në janar i çuan dërgesat e automjeteve të saj të prodhuara në Kinë deri në 18 për qind nga dhjetori.

Marzhet e fitimit të Tesla-s e kanë vënë atë në një pozicion për të fituar një luftë çmimesh ndaj konkurrentëve në Kinë dhe më gjerë.

Por analistët thonë se Tesla ka mbetur prapa konkurrentëve në Kinë në prezantimin e modeleve të reja, përmirësimin e sistemeve të navigimit dhe shtimin e prekjeve luksoze të brendshme ose shërbimin ndaj klientit për t’i shërbyer gamës në zhvillim të preferencave të konsumatorëve për automjetet elektrike.

“Tesla po përballet me një problem serioz të një përzierjeje shumë të kufizuar produktesh”, ka thënë Cui Dongshu, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Makinave të Pasagjerëve të Kinës (CPCA).

“Ngadalësia për t’iu përgjigjur preferencave të konsumatorëve kinezë ka çuar në një pozicionim shumë pasiv që Tesla të mbështetet në disa mjete si ulja e çmimeve për të qëndruar konkurruese”, ka shtuar ai.

Edhe vetë shefi ekzekutiv Elon Musk, ka pranuar se Kina është vendi ku firma mund të përballet me konkurrencën më të ashpër.

Grace Tao, nënkryetarja e Tesla-s, përgjegjëse për komunikimet e jashtme në Kinë, ka treguar më parë se ulja e çmimeve në Kinë pasqyronte inovacionin inxhinierik dhe iu përgjigj thirrjes së Pekinit për të inkurajuar zhvillimin ekonomik dhe konsumin.

Shoqata e Prodhuesve të Automobilave të Kinës pret që shitjet e automjeteve elektrike dhe hibridëve plug-in të rriten me 35 për qind në vitin 2023 në nëntë milionë automjete.

Teksa Tesla ka rritur shitjet në Kinë, tregun e saj të dytë më të madh, gjithashtu ka humbur pjesë.

Nga 15 për qind në vitin 2020, pjesa e saj në tregun e makinave elektrike të Kinës ra me një të tretën në vetëm 10 për qind në vitin 2022, sipas të dhënave nga CPCA.

Tesla ofron dy modele në Kinë, sedan-in Model 3 dhe crossover-in Model Y.

Pas uljeve të fundit të çmimeve, Model 3 fillon me rreth 34 mijë dollarë dhe Model Y nga 38 mijë dollarë.

Por blerësit kinezë të makinave, të cilët kthehen në dyqane këtë vit pas përfundimit të kufizimeve të ashpra të Kinës për COVID-in, po përballen me konkurrentët që ofrojnë një gamë të gjerë alternativash.

BYD, e cila kapërceu Tesla-n me vëllimin e shitjeve globale vitin e kaluar dhe ka një vlerë tregu mbi 100 miliardë dollarë, ofron më shumë se 60 versione të ndryshme të makinave elektrike dhe hibride plug-in.

Një rival shumë më i vogël, por ambicioz – Nio – ka shkuar nga dy në gjashtë modele gjatë së njëjtës periudhë dhe planifikon të nxjerrë në treg edhe pesë të tjera këtë vit.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore