Lajme

Tesla kërkon miratimin e investitorëve për ndarjen e aksioneve


Kompania Tesla do të kërkojë miratimin e investitorëve për të rritur numrin e aksioneve në mënyrë që të mundësojë një ndarje të tyre në formën e një dividenti.

Kështu ka bërë me dije vetë prodhuesi i makinave elektrike.

Sakaq, propozimi ka marrë miratimin e bordit dhe aksionerët pritet të votojnë në mbledhjen vjetore.

Nëse miratohet, ndarja e aksioneve do të ishte e fundit pas ndarjes pesë për një në gusht 2020 që i bëri aksionet e Tesla-s më të lira për punonjësit dhe investitorët.

Edhe kompani të tjera të teknologjisë si Alphabet, Amazon dhe Apple kanë ndarë në të kaluarën e afërt aksionet e tyre për t’i bërë ato më të përballueshme. Një lëvizje e nxitur edhe prej pandemisë.

Aktualisht, Tesla po tregtohet me mbi një mijë dollarë për aksion.

Që nga ndarja e aksioneve në vitin 2020, ato janë rritur me 128 për qind, duke rritur kapitalizimin e tregut në mbi një trilion dollarë dhe duke e bërë kompaninë prodhuesin më të madh të automjeteve amerikane.

Makinat elektrike të saj janë ndër më të shiturat.

Tesla ka dorëzuar afro një milion makina në vit, ndërkohë që rrit prodhimin duke ngritur fabrika të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë.

Megjithatë, po përballet me konkurrencën pasi prodhuesit e vjetër të automjeteve si Ford-i dhe startup-et si Rivian-i hyjnë në treg, duke u dhënë konsumatorëve një sërë opsionesh të reja.

Kurse për çështjen e dividentit të aksioneve, Tesla ka bërë me dije se ai do të varet nga miratimi përfundimtar.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore