Lajme

Tesla i thotë jo Bitcoin-it, shkak shqetësimet klimaterike


Elon Musk, shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane të automjeteve elektrike, Tesla, ka njoftuar në një postim në platformën Twitter se ka pezulluar blerjet e automjeteve të saj duke përdorur Bitcoin për shkak të shqetësime të lidhura me ndryshimet klimaterike.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se pas këtij njoftimi të Musk-ut, Bitcoin-i ra me më shumë se 10 për qind. Edhe aksionet e Tesla-s pësuan rënie gjithashtu.

Gjatë muajit mars, njoftimi i kompanisë amerikane se do të pranonte kriptovalutën u prit me protestë nga disa ambientalistë dhe investitorë.

Ndërkohë, gjatë muajit shkurt, Tesla kishte zbuluar se kishte blerë 1.5 miliardë dollarë të monedhës digjitale më të madhe në botë.

Mirëpo, kompania amerikane e automjeteve elektrike u tërhoq nga komentet e saj të mëparshme.

“Jemi të shqetësuar për rritjen e shpejtë të përdorimit të lëndëve djegëse fosile për minierat dhe transaksionet e Bitcoin-it, veçanërisht qymyrin, i cili ka emetimet më të këqija nga çdo karburant”, ka shkruar Musk në Twitter.

Ai ka vazhduar duke thënë se monedha digjitale përbën një ide të mirë, por që kjo nuk mund të sjellë më kosto të mëdha për mjedisin.

Ndër të tjera, Musk deklaroi se Tesla nuk do të shesë asnjë nga Bitcoin-et e veta dhe se synon t’i përdorë ato për transaksione. Kjo posa minierat të kalojnë në përdorimin e energjisë më të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, analistët e tregut e shohin lëvizjen e kompanisë si një përpjekje për të ulur shqetësimet e investitorëve, të cilët janë të përqendruar në ndryshimet klimaterike dhe qëndrueshmërinë.

“Çështjet e Qeverisjes Mjedisore, Sociale dhe të Korporatave, tani janë një motiv i madh për shumë investitorë. Tesla, duke qenë një kompani e fokusuar te energjia e pastër, mund të dëshirojë të punojë më mirë në këtë zonë mjedisore”, ka thënë për BBC Julia Lee nga Burman Invest.

Ajo ka shtuar se “një cinik mund të sugjerojë që kjo është vetëm një lëvizje tjetër nga Elon Musk për të ndikuar në tregun e kriptovalutave, siç ka bërë edhe në shumë raste të tjera”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore