Lajme

Tesla arrin rekord dërgesash në tremujorin e tretë


Kompania e automjeteve, Tesla Inc, ka deklaruar se ka dorëzuar në shifra rekord makina elektrike në tremujorin e tretë.

Këtë duke mposhtur vlerësimet e Wall Street-it pasi shefi Elon Musk i kërkoi stafit të “rrisnin përkushtimin” për të bërë një shtytje të dorëzimit në fund të tremujorit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kompania e ka kaluar krizën e çipave më mirë se rivalët, me dërgesat e saj të përgjithshme të rritura me 20 për qind në periudhën korrik deri në shtator.

Kjo krahasuar me rekordin e vet të mëparshëm në tremujorin e dytë, duke shënuar fitimet e gjashta radhazi tremujore.

Sipas Musk, firma pësoi një mungesë jashtëzakonisht të rëndë të pjesëve në fillim të tremujorit të tretë dhe u kishte kërkuar punonjësve të bënin përpjekje për dorëzimin në fund të tremujorit.

“Fundi i valës së dorëzimit të tremujorit është jashtëzakonisht i lartë këtë herë”, ka thënë ai.

Nga korriku deri në shtator, Tesla dorëzoi 241 mijë e 300 automjete në nivel global, me rritje prej 73 për qind nga një vit më parë.

Ndërkohë, analistët kishin pritur që prodhuesi i makinave elektrike të dorëzonte 229 mijë e 242 automjete.

Kurse General Motors, Honda dhe disa nga rivalët e tjerë më të mëdhenj, shënuan rënie të shitjeve në SHBA në tremujorin e tretë, të goditur nga një mungesë e zgjatur e çipave.

Në SHBA, shitjet e General Motors në tremujorin e tretë ranë me afro 33 për qind në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë.

Tesla ka pohuar se i dorëzoi klientëve 232 mijë e 25 makina kompakte Model 3 dhe automjeteve sportive të shërbimit Model Y dhe 9 mijë e 275 të makinave të saj kryesore S dhe Model X.

Ndërkaq, prodhimi total pësoi një rritje me mbi 15 për qind në 237 mijë e 823 automjete nga tremujori i mëparshëm.

Gary Black, menaxher i portofolit në Fondin e së Ardhmes, ka thënë se dërgesat e Tesla-s u nxitën nga dërgesat rekord në Kinë, e cila “po qetësonte çdo ide që kërkesa e Kinës po ngadalësohet”.

Atje, kompania përballet me kontroll nga rregullatorët dhe konkurrencë në rritje nga rivalët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore