Lajme

“Terroristët në Banjë planifikonin të visheshin me uniformat e Policisë, të krijohej përshtypja se Kisha dhe pelegrinët po sulmoheshin nga Kosova”


Dean Xhebiç, eksperti i sigurisë ushtarake dhe redaktor i portalit Arma.ba në Bosnje dhe Hercegovinë, në një intervistë për The Geopost, thotë se nuk ishte zgjedhur rastësisht fshati Banjë i Zveçanit dhe Manastiri në këtë fshat nga terroristët serbë më 24 shtator.

Ai beson se qëllimi primar i operacionit në Banjë ishte krijimi i kushteve për përshkallëzimin e konfliktit në Kosovë dhe me këtë diskualifikimi i përhershëm i palës kosovare.

“Terroristët në Banjë do të visheshin me uniformat e Kosovës, duke folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, gjë që absolutisht nuk është problem për njerëzit që jetojnë edhe në veri, krijohet përshtypja se Kisha në fakt ishte sulmuar nga kriminelë që ishin ndarë nga komanda ose thjesht të udhëzuar nga autoritetet e Kosovës dhe të cilët i sulmuan pelegrinët në manastir”, tha ai.

Xhebiç theksoi se kjo ishte pjesa e parë e gjithë operacionit që dështoi pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku nga detonimi i minës antikëmbësorike.

Dean Xhebiç

Ndërsa qëllimi i dytë i grupit terrorist, Xhebiç shpjegon se ishte të trembeshin grupet që në veri të Serbisë, konkretisht në Vojvodinë dhe në Novi Sad ku sipas tij, janë absolutisht të pakënaqur me politikën e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në këtë drejtim, frikësimi i pelegrinëve nga veriu, gjegjësisht nga Vojvodina, do të nënkuptonte edhe përcjelljen e një mesazhi për ato grupe, në mënyrë që ata të kuptojnë në mënyrë delikate se si duket kur i kthejnë shpinën shtetit, konkretisht, regjimit të Aleksandër Vuçiçit. Pra, qëllimi i operacionit ishte frikësimi i brendshëm dhe i jashtëm, nëse mund të themi kështu, duke qenë se qëllimi fillestar ishte provokimi i një konflikti”, potencoi ai.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se planifikimi i operacioneve të tilla – duke përfshirë disa muaj analiza, zbulim, vlerësime – janë thjesht procedura operative të standardizuara që vendosen në vetë planifikimin e operacionit dhe përpiqen të mbulojnë çdo aspekt të zhvillimin e ngjarjeve”.

Por, ai shprehet i habitur që asnjë nga pelegrinët serbë nga Novi Sadi që ishin brenda Manastirit më 24 shtator nuk folën për mediat.

“Është shumë e pazakontë që të gjitha mediat në rajon e kapërcejnë këtë fakt edhe pse fillimisht doli si lajm se pelegrinët ishin grabitur. Pra, nëse ndjekim një sekuencë logjike, pelegrinët në manastirin ortodoks janë grabitur nga anëtarë të një organizate terroriste që pa dyshim zbaton politikën shtetërore të Serbisë”.

Ndryshe, shumica e terroristëve që sulmuan Kosovën me 24 shtator kur u futën nga Serbia në Banjë të Zveçanit janë identifikuar, ka thënë një burim nga Prokuroria Speciale për Albanian Post.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milionë euro.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore