Lajme

Tërmet i fuqishëm në Marok, mbi 2 mijë viktima


Maroku është goditur nga një prej tërmeteve më të fuqishëm që ka përjetuar ndonjëherë.

Ekipet e shpëtimit në kërkim të të mbijetuarve gërmuan nëpër rrënojat e shtëpive të shembura në fshatrat e largëta malore të Marokut të shtunën, ndërsa forcat e armatosura u vunë në veprim pas tërmetit më vdekjeprurës të vendit në më shumë se 60 vjet.

Autoritetet shpallën tre ditë zie kombëtare pasi tërmeti me magnitudë 6.8 vrau më shumë se 2 mijë e 12 njerëz dhe plagosi 2 mijë e 59, me shumë të mbetur pa shtëpi.

Mbreti Mohammed VI i Marokut urdhëroi forcat e armatosura të mobilizojnë ekipe të specializuara kërkimi dhe shpëtimi dhe një spital në terren kirurgjik, sipas një deklarate nga ushtria.

Ja çfarë dihet deri tani:

Sa i fuqishëm ishte tërmeti?

Mediat marokene raportuan se ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur vendin deri më tani.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) vlerësoi magnitudën e tërmetit në 6.8 ballë dhe tha se ishte në një thellësi relativisht të cekët prej 18.5 kilometra.

Ndërkohë, qendra gjeofizike e Marokut tha se tërmeti goditi me magnitudë 7.2 ballë.

Sa persona janë prekur?

Të paktën 2 mijë e 12 njerëz kanë mbetur të vrarë dhe 2 mijë e 59 të plagosur, sipas mediave shtetërore marokene. Shumica e të vdekurve janë në zona malore të vështira për t’u arritur.

Tërmeti është më vdekjeprurësi i vendit që nga një lëkundje e vitit 2004 pranë al-Hoceima, në malet veriore Rif, ku humbën jetën më shumë se 600 njerëz.

Kur ndodhi?

Tërmeti goditi pas orës 23:00 me orën lokale (22:00 GMT) të premten në mbrëmje, sipas USGS-së.

Ku ka goditur?

Tërmeti u ndje në të gjithë vendin duke përfshirë provincat al-Haouz, Ouarzazate, Marrakesh, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant.

Ku ishte epiqendra e saj?

Epiqendra e tërmetit ishte pranë vendpushimit të skive të Oukaimeden-it në malet Atlas, rreth 75 kilometra nga Marrakech-i.

Çfarë dëmesh janë raportuar deri më tani?

Banorët në Marrakech raportuan se disa ndërtesa u shembën në qytetin e vjetër, i cili është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pamjet e murit të qytetit mesjetar treguan të çara të mëdha në një pjesë me rrënojat e shtrira në rrugë.

Turistët dhe banorët postuan video të njerëzve që bërtisnin ndërsa iknin nga ndërtesat, ndërsa muzika pulsuese e klubit luajti në orët e vona kur ra tërmeti.

Video në mediat sociale tregoi se një pjesë e një minareje u shemb në sheshin e famshëm Jemaa el-Fna në qytetin historik, duke plagosur dy persona.

A kishte pasgoditje?

USGS-ja raportoi një pasgoditje me magnitudë 4.9 që goditi 19 minuta më vonë.

Burra, gra dhe fëmijë po qëndrojnë në rrugë, nga frika e mëtejshme të goditjeve, sipas raporteve të lajmeve.

A është i zakonshëm një tërmet i kësaj magnitude në Marok?

Një tërmet i kësaj madhësie nuk është parë në vend dhe zonat përreth për më shumë se 120 vjet.

“Që nga viti 1900, nuk ka pasur asnjë tërmet M6 [magnitudë 6] ose më i madh brenda 500 kilometrash nga ky tërmet, dhe vetëm nëntë M5 [magnitudë 5] e më shumë”, tha USGS-ja në faqen e saj të internetit.

A është ndjerë tërmeti diku tjetër?

Tërmeti u ndje deri në Portugali dhe Algjeri, sipas Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën dhe agjencinë e Mbrojtjes Civile të Algjerisë.

Të paktën 632 viktima nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun

Autoritetet shqiptare dërgojnë ngushëllime për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Marok

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore