Tërhiqet ARRSH – Në rrugën e Rinasit rikthehet lëvizja me dy sense

Orges Permargjeta
05.05.2022 10:37
Loading Icons...

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka tërhequr vendimin që rruga e Rinasit të jetë me një sens lëvizje, duke u kthyer kështu në gjendjen e mëparshme.

Ky reagim erdhi pasi banorët e fshatit të Rinasit u grumbulluan për të katërtën ditë radhazi, duke kundërshtuar sërish vendimin për devijimin në rrugën që të dërgon tek Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”.

Në njoftimin e ARRSH-së thuhet se “kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq”.

Gjithashtu, Autoriteti u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative, për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt Aeroportit të Rinasit.

“Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks, duke përllogaritur orarin e nisjes”, mbyll njoftimin ARRSH-ja.

Protesta e tyre ka nisur rreth orës 10 dhe, në mbështetje të tyre, i janë bashkuar edhe deputetët demokratë Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi dhe Dhurata Çupi.

Kundërshtia e banorëve ka marrë fill që më 2 maj. Për dy orë ata kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugën e Rinasit dhe që dje fëmijët kanë bojkotuar shkollën.

Protestat erdhën pasi ky aks, që nga 1 maji, u bë vetëm me një sens kalimi.

Vendimi i rrugës me një sens

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, pas periudhës së COVID-19, sillte trafik të rënduar me radhë të gjata automjetesh.

Por, nga ana tjetër, sipas banorëve, aksi me një kalim “ua ka vështirësuar jetën”.

Nga ky ndryshim, sipas tyre, preken drejtpërdrejtë 260 familje dhe ua zgjat rrugën për të shkuar në shkollë 130 fëmijëve.

Protesta e banorëve një ditë më parë

 

Të fundit

Aktuale