Shqipëria

Tentuan të vidhnin me armë një banesë në Prush, shkëmbim zjarri mes 3 autorëve dhe efektivëve


Tre persona të armatosur kanë tentuar që të grabisin një shtëpi në fshatin Prush të Tiranës, por plani nuk u ka shkuar sikur e kishin planifikuar. Banorët e zonës kanë lajmëruar policinë për këtë tentativë grabitjeje, ndërsa në momentin e mbërritjes ka pasur shkëmbim zjarri mes autorëve dhe punonjësve të policisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:13 të mbrëmjes së 9 dhjetorit, kur 3 autorët e armatosur janë futur brenda shtëpisë së Gim Himës, për të grabitur.

Teksa policia është afruar pranë banesës, ata kanë qëlluar me armë drejt efektivëve duke u rrezikuar edhe jetën. Më pas uniformat blu u janë kundërpërgjigjur me të shtëna, por autorët kanë arritur të largohen. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka persona të lënduar.

Autorët dyshohet se kanë tentuar që të vjedhin një automjet në shtëpinë e Himës, por nuk kanë mundur. Në banesë mësohet se kanë qenë 2 persona. Në tentativë për t’u larguar, autorët kanë tërhequr me dhunë një polic, por ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Tre autorët kanë qenë me një mjet tip ‘Audi’ të bardhë dhe janë larguar në drejtim të Liqenit të Thatë.

Mjeti dyshohet se është me targa të vjehdura, AA 943 SG. Policia e Tiranës, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore