Tensionet në Kuvend, reagon Ambasada britanike: Dhuna nuk ka vend në demokraci

Ambasada u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv
SHFLETO
Rajmonda Basha
01.10.2024 15:37
Loading Icons...

“Dhuna nuk ka vend në demokraci”.

Kështu e nis reagimin e saj Ambasada Britanike në Tiranë sa i takon tensioneve të së hënës në Kuvendin e Shqipërisë,  të cilat përshkallëzuan me djegien e karrigeve në shkallët e parlamentit nga ana e opozitës.

Ambasada u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare.

“Ambasada Britanike dënon veprimtarinë që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, thuhet gjithashtu në reagim.

Ndërsa, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi se është “thellësisht e shqetësuar nga shkatërrimi dhe forca e ekspozuar” në parlamentin e Shqipërisë të hënën, duke cituar reagimin për media.

“Ne inkurajojmë të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të mbështesin vlerat e respektit dhe civilizimit”, theksoi diplomacia amerikane.

Selia e ambasadës shtoi se mbështet diskutimin paqësor dhe bashkëpunues mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, krahas zhvillimeve të aktualitetit.

Në përmbyllje, ambasada amerikane garantoi se do të qëndrojë pranë institucioneve të Shqipërisë ndërsa ato punojnë për ta afruar Shqipërinë me komunitetin euroatlantik.

Më herët, do të reagonte në të njëtën linjë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato.

Diplomati italian shprehu keqardhje që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën “mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend”.

“Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin”, mendon Gonzato.

Sipas tij, në një demokraci funksionale si Shqipëria “pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës” për të shprehur mendimin.

“Deputetët e Kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë”, kujtoi përfaqësuesi evropian.

Në reagimin përmbyllës, ai bëri thirrje për rikthim në dialog, ndalim të “përshkallëzimit të situatës dhe shmangien e sulmeve personale dhe verbale” .

Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur hetimet për 23 deputetë të opozitës pas trazirave të shkaktuara në seancën e fundit plenare.

Autoritetet ligjzbatuese kanë referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Flamur Noka, 53 vjeç, akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Gazmend Bardhi, 38 vjeç, akuzohet për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”.

Bledjon Nallbati, 39 vjeç, akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërsa deputetët Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Lefter Gështenja, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa, Lindita Metaliaj, Dashnor Sula, Luan Baçi, Lodovik Hasani, Asllan Dogjani, Edi Paloka, Erisa Xhixho, Saimir Korreshi, Edmond Spaho, Kasem Mahmutaj, Vangjel Dule, Monika Kryemadhi, Isuf Çela akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama solli në vëmendje kaosin e shkaktuar nga opozita për të deklaruar në reagimin e tij se “këtu qëndron ndarja jonë, ne ndërtojmë, ata shkatërrojnë”.

“Ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvend për t’u ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kuvendi i Shqipërisë bëri me dije se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara një ditë më parë nga deputetët e opozitës.

“Deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve”, shkruhet në reagimin e institucionit.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi gjatë ditës se kaosi i shkaktuar nga deputetët demokratë në seancën e fundit parlamentare do të referohet në SPAK.

Ai i cilësoi veprimet e tyre – për djegien e karrigeve – si një akt vandal që “përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Demokratëve, Gazment Bardhi u shpreh pas akteve opozitare se “ne po djegim karriget tona, pasi nuk jemi këtu për karriget tona”.

“Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Salianji denoncoi lidhjet e Fatmir Xhafajt me krimin. Karriget tona janë të qytetarëve. Edi Rama ka djegur parlamentin. Ne jemi këtu për të thënë se jemi për interesin publik. Jo, ne nuk kemi djegur mandatet. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment”, shprehte përfaqësuesi demokrat para mediave.

Të enjten e kaluar, Gjykata e Apelit e shpalli fajtor Ervin Salianjin për “kallëzim të rremë” për publikimin në vitin 2018 të një audio-përgjimi të dyshuar, që implikonte vëllain e ministrit të Brendshëm të atëhershëm socialist Fatmir Xhafaj, në një episod të trafikut të marijuanës drejt Italisë.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se në vend të kësaj, bëhej fjalë për një inskenim “të organizuar nga Salianji për të diskredituar politikisht ministrin Xhafaj”, siç pretendohet nga prokuroria.