Shqipëria

“Tempulli” ishte goditja e parë e madhe, thotë Balla


Ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, deklaroi se mega-operacioni “Tempulli” është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtari shqiptar gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

Ai falënderoi uniformat blu për mega-operacionin, i cili çoi në pranga 233 shpërndarës droge si dhe u bë e mundur goditja e 23 rrjeteve kriminale.

“Kemi arritur të japim goditjen e parë të madhe, edhe pse është një punë që është zhvilluar muaj pas muaji, vit pas viti, por e vërteta është që operacioni kombëtar ‘Tempulli’ është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit”, theksoi fillimisht Balla.

Ministri shqiptar beson se Policia e Shtetit ka marrë vlerësim tejet pozitiv nga publiku për këtë goditje.

“Ky është një tregues domethënës për seriozitetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit kundër çdo veprimtarie të paligjshme. Ky operacion ka shënuar një prej momenteve me të suksesshme të punës hetimore të strukturave të policisë”, shtoi ai.

Gjithashtu Balla ka nënvizuar edhe njëherë rëndësinë që ka krijimi i një perimetri sigurie përrreth shkollave si dhe ka deklaruar se policia do të veprojë ndaj çdo lloj veprimtarie anti-ligjore dhe kriminale.

“E ndërsa bëhet pak më shumë se një javë nga fillimi i vitit shkollor, ku prezantuam Paketën e Sigurisë në shkolla, e cila ka në themelin e vet krijimin e një perimetri sigurie përrreth shkollave, policia po godet ashpër me të gjithë forcën e ligjit, çdo lloj veprimtarie antiligjore dhe kriminale”, garantoi zyrtari shqiptar.

Balla deklaroi në vijim se duhet më shumë punë për të identifikuar personat në kërkim si dhe shprehet se do të ketë bashkëpunim me Europol-in dhe Interpol-in.

Ministri vuri në dukje gjithashtu faktin se në Shqipëri do të organizohet për herë të parë Konferenca Evropiane e Interpol-it dhe kjo vjen edhe si një vlerësim për punën dhe arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar.

“Kemi tashmë një listë prioritetesh ose siç i themi ‘më të kërkuarit’, për të cilët mezi pres që ajo listë të çmontohet një e nga një duke bashkëvepruar këtu jo vetëm brenda për brenda hapësirës sonë me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, por do të rrisim bashkëpunimin me Europol-in dhe me Interpol-in. Shumë shpejt do të jemi në selinë qendrore të Interpol-it, pikërisht për të hapur një kapitull të ri dhe për të identifikuar të gjithë të kërkuarit shqiptarë nëpër botë”, ravijëzoi në përmbyllje Balla.

Policia vijon operacionin “Tempulli”, arreston një tjetër shtetas në Elbasan

Megaoperacioni antidrogë “Tempulli” – Qindra të arrestuar, shkatërrohen 23 grupe kriminale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore