Muzikë

“Telex” kërkon të emërtohet një rrugë në Shkup me emrin e tyre


Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e gjashtëdhjetë ka marrë vendim për plotësimin e listës së emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Nga 571 emra sa janë gjithsej, 100 prej tyre do t’i takojnë personaliteteve të shquara shqiptare, që kanë dhënë kontribut në sfera të ndryshme, si çështjet kombëtare, në letërsi, këngë e sport, si dhe emra rrugësh të ngjarjeve historike kombëtare.

Lidhur më këtë iniciativë ka reaguar edhe rok grupi i vjetër shqiptar, “Telex”.

Solo kitaristi i këtij bendi, Ismet Shaini, në një intervistë për Albanian Post, fillimisht e ka përshëndetur këtë iniciativë.

“Në e përshëndesim këtë ngjarje, pasi që është koha që të zëvendësohen disa emra të rrugëve të cilat si për “ironi” kanë emra me figura të kohës së komunizmit dhe pushtueseve serb e bullgar, pikërisht aty ku pjesa dërmuese e banorëve janë shqiptarë” thotë Shaini.

Shaini, shprehet shumë optimist për të ardhmen, ndër tjerash, ai pretendon që një ditë akoma më shumë rrugë të kenë emra të personaliteteve të shquara shqiptare.

“Pleqtë kanë thënë se kur nuk bie shi, edhe breshëri është i mirë – normalisht që ky numër modest nuk mjafton, por ne nuk do të ndalemi me kaq. Do të presim një periudhë me kushte të përshtatshme, në mënyrë që ta zgjerojmë këtë listë” thotë ai për Albanian Post.

Ndërsa, në ri-emërtimin e këtyre rrugëve, nuk bën pjesë njëri ndër grupet me të vjetra muzikore, pjesë e së cilit ishte edhe Ismet Shaini. Bëhet fjalë për rok bendin “Telex”, i cili është themeluar në vitin 1981 nga disa të rinjë entuziastë të Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup.

“Telex, duhet të ketë vendin e merituar edhe në këtë iniciativë. Por, dua të besoj se ka qenë ndonjë lëshim rasti që besoj se do të përmisohet së shpejti, pasi që po flitet se ka akoma diskutime që kjo listë të ketë disa ndryshme” shprehet Ismet Shaini.

Sipas Shainit, në listën prej 100 rrugëve me emra të personaliteteve shqiptare, përveç “Telex” mungojnë edhe shumë emra si;

Llazer Bojaxhiu (babai i Nënë Terezës), Adem Kastrati (piktor i shquar), Arbër Xhaferi (politikan), Aziz Salihu (boksier i suksesshëm), Ibrahim Haki Kelmendi e Rexhep Bunjaku të cilët u dënuan për ngritjen e flamurit më 1968, si dhe shumë të tjerë.

Mes tjerash, “Elex” është vlersuar për kontributin e dhënë në muzikën rok edhe nga “Rock Enciklopedia e Maqedonisë” me autorë dhe ekspertë maqedonas, përkundër faktit se grupi janë njohur për performancat në gjuhën shqipe.

“Ne nuk duam të marrim asnjë iniciativë personale. Grupi ynë ka konsoliduar respekt e vlerësime ndër vite. Për ne mjaftojnë reagimet e fansave që po shkruajnë e po komentojnë këtë çështje, anë e mbanë trojeve shqiptare”.

Ndryshe rok grupi “Telex” nuk funksionon që nga viti 2012, për shkak se shumica e anëtarëve jetojnë në vende evropiane, si solisti i grupit Sejat Jakupi i cili jeton në Gjermani apo bas kitaristi, Enver Bunjaku i cili aktualisht jeton në Zvicër.

“Telex” numron hite të shumta në repertuarin e vet, disa nga të cilat janë; “Vetmia s’është për ty”, “Ndoshta një ditë”, “Vetëm për ty”, “Çdo gjë vjen me vonesë” e shumë të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore