Lajme

Televizioni shtetëror i Iranit nën hacker-im: Thirrje për vdekjen e Khamenei-t


Në Iran, kanalet e shumta të televizionit shtetëror kanë transmetuar grafika me thirrje për vdekjen e liderit suprem të vendit dhe imazhe të liderëve të një grupi disident.

E gjitha lidhet me një incident, që sipas autoriteteve cilësohet si një hacker-im.

Gazeta “Asharq Al-Awsat” tregon se për disa sekonda, në ekran u shfaqën grafika që ndërprenë transmetimin për të nxjerrë liderët e Organizatës opozitare Mujahideen Khalq (MKO), Maryam dhe Masoud Rajavi.

Kurse në videot që kanë qarkulluar në mediat sociale është dëgjuar edhe zëri i një burri që drejton thirrje për vdekjen e liderit suprem Ali Khamenei.

Ndërkaq, zëvendësshefi i transmetuesit shtetëror, Ali Dadi, ka thënë se rasti ndodhet nën hetim.

“Kolegët po hetojnë incidentin. Ky është një sulm jashtëzakonisht kompleks dhe vetëm zotëruesit e kësaj teknologjie mund t’i shfrytëzojnë dhe dëmtojnë dyert e pasme dhe veçoritë që janë instaluar në sisteme”, ka dalluar Dadi.

Ky incident i ndodhur ka shënuar më të fundit në një seri sulmesh të turpshme kibernetike kundër Iranit.

Jo më larg se në muajin tetor, një sulm në sistemin e shpërndarjes së karburantit të Iranit paralizoi stacionet në mbarë vendin, duke çuar në radhë të gjata shoferësh të zemëruar në pamundësi për të marrë karburant për ditë të tëra.

Një tjetër sulm kibernetik në sistemin hekurudhor të Iranit shkaktoi kaos dhe vonesa të trenave.

Ndërsa një tjetër zbuloi pamjet e abuzimeve në burgun famëkeq Evin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore