Lajme

Teknologjia Blockchain dhe roli i saj në sistemin bankar


Për të gjithë ata që nuk e njohin, teknologjia Blockchain në thelb është “një libër i decentralizuar, i cili regjistron çdo transaksion që ndodh midis të gjitha pajisjeve digjitale anembanë globit”.

Kështu shpjegon për Albanian Post, Ardora Bilibani, punonjëse e marketingut digjital me fokus në qëndrueshmërinë, edukimin dhe inovacionin.

Vitet e fundit, Blockchain ka qenë kryefjala e përparimit teknologjik, çka nuk është befasi, duke pasur parasysh se si po ndryshon dinamikën e shumë industrive, përfshirë edhe atë bankare.

“Të gjitha transaksionet e bëra nëpërmjet kësaj teknologjie pengojnë modifikimin e transaksioneve të sipërpërmendura, duke rritur sigurinë, transparencën dhe përshpejtojnë procesin e shkëmbimit të informacionit”, shpjegon më tej Bilibani.

Teknologjia Blockchain pritet të revolucionarizojë mënyrën se si ne bëjmë biznes, jo vetëm në industrinë bankare, por në të gjithë sektorët, si: kujdesi shëndetësor, qeveria, shitja me pakicë dhe më shumë.

Blockchain është bërë më i njohur për aplikimin e tij në formimin e Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera.

Si u përfshi teknologjia Blockchain në sektorin bankar?

Sipas Bilibanit, meqë teknologjia Blockchain është e njohur për krijimin e kriptomonedhave, ka shumë më tepër mënyra se si mund të zbatohet në industrinë bankare.

Blockchain, vijon ekspertja, u krijua për të zgjidhur probleme të tilla si konfirmimi i identitetit dhe çështjet e besimit.

“Kjo teknologji”, thotë ajo, “parandalon ndryshimet nga palët e paautorizuara në lidhje me zinxhirin e transaksioneve dhe ruan një regjistër të pastër të informacionit të transaksioneve”.

Të njëjtën linjë mendimi mbajti edhe eksperti i IT-së, Besmir Semanaj, në shkrimin e publikuar më 14 maj 2021, i cili për Albanian Post tha që “sot kemi shumë banka që po aplikojnë teknologjinë ‘Blockchain’”.

“Kjo teknologji jep shpejtësinë që kanë kriptovalutat, por me një superioritet në siguri ndaj përdoruesve”, theksoi ai.

Sa e sigurt është kjo teknologji?

Sipas një artikulli të shkruar nga revista “Forbes”, “asgjë nuk është 100% e sigurt, por Blockchain është projektuar për të qenë i pandryshueshëm, i pacenueshëm nga manipulimet dhe demokratik”.

“Teknologjia e arrin këtë, pak a shumë, përmes tre karakteristikave përcaktuese, decentralizimit, kriptografisë dhe konsensusit”.

Ndërsa Bilibani thotë që, nëse projektohet mirë dhe rregullohet siç duhet, kjo teknologji “mund të mbështesë mënyra më të shpejta dhe më efikase pagese”, Forbes shkruan se Blockchain është ende një teknologji në zhvillim dhe evoluon çdo ditë që kalon.

Marrë parasysh për sa më sipër, Blockchain është një zgjidhje shumë më e mirë për ruajtjen dhe shkëmbimin e vlerave digjitale se çdo gjë që e ka paraprirë.

A do të thotë kjo se është perfekte? Jo, por asgjë nuk është.

Ajo që ka rëndësi, përmbyll ekspertja, “është që ne të vazhdojmë të zhvillojmë dhe përmirësojmë ekosistemin Blockchain për ta bërë atë sa më të sigurt që të jetë e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore