Zgjedhjet në Kosovë

Të shtëna me armë në një odë me simpatizantë të VV-së


Një simpatizues i VV-së duke shtënë me armë në një odë në Drenas

Vetëvendosje organizoi një tubim me banorët e fshatit Gllanasellë të komunës së Drenasit të martën mbrëma, në prag të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Në një nga odat e këtij fshati simpatizantët e kësaj partie të mbledhur në një ambient të mbyllur, kishin ftuar edhe rapsodë, të cilët dëgjohen duke kënduar për Fejzi Kiqinën, kandidatin e VV-së për Drenasin.

Në kohën kur kënga ua nxehu zemrat, dikujt iu nxeh edhe truri. Nxori armën dhe shtiu disa here në ajër.

Sipas videove të publikuara në mediet online në Kosovë, në këtë takim u pa të jetë edhe deputeti i Vetëvendosjes Enver Dugolli.

I kontaktuar nga Albanian Post, deputeti Dugolli e pranoi se ishte pjesë e këtij takimi, në mesin e shumë burrave në odë, por jo në momentin kritik, kur dikush nga simpatizantët e VV-së shtiu me armë.

“Kam qenë 30 minuta dhe kemi lëvizë në një tubim tjetër. Nuk e di çka ka ndodhë më pastaj”, ka thënë shkurtimisht Enver Dugolli.

Rastin për Albanian Post e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim të organeve të rendit thuhet se rasti është lajmëruar në ora 21:00.

“Kemi marrë informatën se në fshatin Gllanasellë të Drenasit, ka pasur të shtëna me armë”.

“Bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.

Arma e cila u sekuestrua në tubimin e Vetëvendosjes në Drenas

Organet e rendit në Drenas raportojnë se pas bastisjes kanë identifikuar një armë me gas.

“Në lokacionin ku ka ndodhë rasti, policia ka kryer një bastisje dhe ka identifikuar një person të dyshuar, të cilit (në veturë) i ka gjetur dhe sekuestruar një armë me gas, të tipit Ecol Special dhe 5 fishekë”.

Më tej, Policia ka shoqëruar për në stacionin policor në po këtë qytet, dy persona të dyshuar për të cilët policia hetuese ka nisur hetimet për të kuptuar rrethanat e këtij veprimi.

Një simpatizues i VV-së duke shtënë me armë në një odë në Drenas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore