Shqipëria

Të shtëna drejt lokalit në Don Bosko, 1 viktimë dhe 6 të plagosur


Tirana është tronditur në orët e vona të së dielës nga të shtënat me armë, më saktësisht në zonën e Don Boskos në drejtim të një lokali.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.

Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit.

Ngjarja, sipas autoriteteve ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar.

Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur pesë persona: S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është dëmtuar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në rrugën “Anastas Shundi”, pranë zonës së Don Boskos rreth orës 21:05.

Policia sqaron se për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në kryeqytet duke dënuar “autorët e kësaj masakre”.

“Dënoj me forcën më të madhe autorët e kësaj masakre dhe denoncoj lidhjet e tmerrshme të qeveritarëve me bandat dhe krimin, si faktori më kryesor që ka vendosur rendin dhe sigurinë në duart e bandave të lidhura ngushtë me qeverinë”, shkruan ish-kryeministri.

Në përmbyllje, Berisha i shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Fation Murati

Lokali është në pronësi të Fation Muratit, një emër i njohur në botën e krimit.

Ai u u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim, për zotërimin e një arsenali armësh të sekuestruara gjatë muajit korrik.

Murati ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Indrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi.

32-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit.

Murati deklaroi asokohe se nuk kishte lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale.

Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë.

Kjo, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore