Sport

Të rinjtë e Milan-it, mbrojtja e titullit dhe epoka e mundshme e dominimit


Kuqezinjtë ishin padyshim kampionët më të rinj në pesë ligat më të mira të Europës sezonin e kaluar, me fituesit e La Liga-s dhe Champions League, Real Madrid (28-vjeç e  95 ditë) më të vjetrit.

Ndërsa rivalët e tyre në Serie A përpiqen të kthejnë kohën pas, kampionët Milan po shikojnë nga e ardhmja.

Romelu Lukaku, heroi i Scudetto-s 2020-21 i Inter-it dhe Paul Pogba, fituesi i katër kampionateve radhazi me Juventus-in, janë rikthyer në ish-klubet e tyre pas aventurave të pasuksesshme në Premier League.

Natyrisht, kjo është një lëvizje që funksionoi për Milan-in sezonin e kaluar. Ata rikthyen Zlatan Ibrahimovic, i cili kishte luajtur për tre klube dhe në tre vende të ndryshme midis dy sezoneve të fundit.

Ibrahimovic, së shpejti që do të mbushë 41-vjeç. Megjithatë ai është regjistruar dhe për një sezon tjetër. Por ka një bërthamë të re, emocionuese për skuadrën e Milan-it që siguroi titullin e fundit dhe tani do të përpiqet ta mbrojë atë.

Yjet e rinj e shpërblejnë besimin e Pioli-t

Milan-i kishte moshën mesatare të katërt më të re në Serie A sezonin e kaluar (25-vjeç e 337 ditë). Vetëm Empoli (24-vjeç e 325 ditë), Spezia (24-vjeç e 334 ditë) dhe Torino (25-vjeç e 189 ditë) kishin moshën mesatare më të re se kuqezinjtë.

Kjo mesatare u rrit ndjeshëm nga Ibrahimovic dhe Olivier Giroud.

Ndonëse Giroud bëri vetëm 22 paraqitje nga minuta e parë në formacionin e Stefano Pioli-t, ai shënoi 11 gola, duke përfshirë dy, ditën kur kuqezinjtë fituan titullin në Sassuolo.

Mes lojtarëve që luajtën nga minuta e parë 20 ose më shumë ndeshje gjatë sezonit të fundit, nëntë ishin nën moshën mesatare.

Pierre Kalulu bëri 21 startime, Rafael Leao 31, Sandro Tonali 31, Brahim Diaz 25 dhe Alexis Saelemaekers 22. Të gjithë nga 22-vjeç, me përjashtim të Kalulu, 21-vjeç.

Theo Hernandez 30 startime dhe Fikayo Tomori 30, të dy nga 24-vjeç. Franck Kessie i larguar tashmë, 25 startime dhe Davide Calabria 24. Këta dy të fundit nga 25-vjeç.

Vetëm Brahim Diaz nuk ishte në formacion në sfidën e fundit ndaj Sassuolo-s. Në vend të tij u preferua 28-vjeçari, Rade Krunic.

Fakti që një skuadër e mbushur me element të rinj në moshë, në një sfidë aq delikate ku luhej titulli kampion, tregon se Pioli dhe klubi e kanë qasjen drejt këtij modeli.

Transferimet e dëshiruara dhe të arritura

Realisht, duke pasur parasysh fuqinë financiare të klubeve të tjera në të gjithë Evropën, Milan-i nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të paguajë për lojtarë me potencialë dhe jo të provuar.

Megjithatë, lëvizjet e tyre të projektuara për këtë merkato dështuan. Sven Botman dhe Renato Sanches, përfunduan te klubet e pasura. I pari te Newcastle dhe i dyti te PSG.

Fatkeqësisht, PIF i Arabisë Saudite dhe QSI e Katarit mbështesin përkatësisht Newcastle dhe PSG. Ndaj dhe milionat e sheikëve parakaluan Milan-in në garën për dy ish-lojtarët e Lille-s.

Në vend të kësaj, Kalulu mund të vendoset përsëri në formacionin bazë me Fikayo Tomori-n. Ndërsa, Tommaso Pobega, 23-vjecari i rikthyer në skuadër mund të shihet si zëvendësuesi i mundshëm i Kessie.

Milan-i ka vendosur të investojë pjesën më të madhe të buxhetit të merkatos në sulm. Aty ku investoi mbi 30 milionë euro për të afruar talentin belg, Charles De Ketelaere.

Reprezentuesi belg, i cili mbushi 21-vjeç në mars, kontribuoi me 14 gola dhe nëntë asistime në 39 ndeshje për Club Brugge sezonin e kaluar.

De Ketelaere ishte lojtari i dytë më i ri në futbollin belg që shënoi të paktën pesë gola dhe pesë asistime në sezon. Ai vinte pas të huazuarit të Bayern Munich te Anderlecht, Joshua Zirkzee me 16 gola dhe nëntë asistime.

Ai tani do të lidhet me Leao-n, i cili kishte 11 gola dhe tetë asistime. Portugezi ishte lojtari i dytë më i ri që e arriti atë statistikë në Serie A në sezonin 2021-2022, pas Giacomo Raspadori-t të Sassuolo-s me 10 gola dhe pesë asistime.

Edhe shoku i skuadrës së De Ketelaere te Belgjika, Divock Origi, ishte nënshkrimi i ri në sulmin e Milan-it. Ai është 27-vjeç.

(Mos)përvoja në Champions League

Përveç Giroud, i cili kishte luajtur 41 ndeshje dhe kishte startuar 25, nëntë lojtarët e tjerë të rregullt në Serie A kishin bërë vetëm 11 paraqitje të kombinuar së bashku. Dhe po në kombinim kanë bërë vetëm pesë startime në kompeticionin më elitar për klube në Europë.

Fushata europiane e Milan-it nuk shkoi siç do të kishin shpresuar. Ata humbën tre ndeshjet e para të fazës së grupeve dhe përfunduan në fund të tabelës, duke u eleminuar nga Kupat e Europës.

Këtë sezon do të ketë një tjetër test për Milan-in e të rinjëve dhe ecurinë e tyre në Champions.

Mund të ketë largime gjatë rrugës dhe Milan-i do të shpresojë të marrë një tarifë, ndryshe nga rasti i Kessie. Por ky ekip duhet të vazhdojë të rritet së bashku.

Nëse lojtarët e Milanit përparojnë siç kanë bërë deri më tani, do të ketë shumë më shumë sfida për titull. Ndosha dhe një kurorë të tetë europiane së shpejti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore