Lajme

Të plagosurit në periudhën 1981-1995 kërkojnë njohjen e statusit të invalidëve


Komisionin e Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut

Në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Naser Behrami nga Shoqata e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, të mërkurën ka prezantuar kërkesën që të rishikohet Ligji për Statusin e të Drejtave të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të përfshihen në këtë ligj edhe invalidët e paraluftës, gjatë periudhës 1981-1995.

Në nivel vendi numri i atyre që sakrifikuan dhe dhanë kontribut në atë kohë për liri dhe pavarësi, ka qenë 204, por sipas tij aktualisht janë rreth 120 të dëshmuar me dokumente.

“Edhe ne kemi qenë viktimë, jemi plagosur në demonstrata me plumba. Si do që të jetë kemi derdhur gjak për liri dhe pavarësi, të cilën sot ne e gëzojmë”.

“Shteti i Kosovë ka marrë parasysh vetëm periudhën e gjatë luftës së fundit, dhe njerëzit e para luftës i ka harruar. Kërkesa e jonë e vetme, është që edhe neve të na trajtoni të barabartë sipas Ligjit dhe të na njihet statusi i invalidëve të paraluftës”, është shprehur ai.

Kurse veprimtari i plagosur nga forcat serbe para luftës, Xhavit Ramadani, është shprehur se kjo kategori nuk është trajtuar asnjëherë nga shteti, derisa ka thënë se Fatmir Uka nga Podujeva është invalid dhe i mbetur në karrocë pa asnjë përkujdesje shtetërore.

“Qëllimi ynë është që kjo të rregullohet me status, pra çështja jonë ashtu siç na takon”.

“Ka njerëz që janë në karrocë qe sa e sa vjet, askush nuk i trajton dhe nuk merret me problemet e tyre, pavarësisht se janë sakrifikuar për këtë liri që sot po e gëzojmë”, është shprehur ai.

Policia serbe – Podujevë 1990

Tutje Ramadani ka thënë se nuk janë duke kërkuar privilegje por vetëm që të trajtohen ashtu si kategoritë e tjera.

Kryesuesja e mbledhjes së Komisionit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti ka premtuar se do t’i trajtoj kërkesat e tyre.

“Jemi të vetëdijshëm që historia jonë e rezistencës nuk fillon në vitin ’98-të, pra është shumë më e hershme. Kësisoj në obligohemi t’i adresojmë ende të gjitha kategoritë e pa përfshira, që për fat të keq tash e kaq vite pas luftës e ende nuk janë të rregulluara këto kategori”, ka thënë Kurti.

Tinka Kurti-Deputete

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka deklaruar se ligji përkatës fatkeqësisht është treguar i pa drejtë për disa kategori, sidomos për invalidët e paraluftës dhe se ligji ka mangësi.

“Fatkeqësisht elementi i plotësim ndryshimit të ligjit dhe njohës së kategorive të ndryshme ka rezultuar në shumë raste i padrejtë, por në të njëjtën kohë edhe proces i vështirë pasi në shumicën e rasteve janë trajtuar kategori të luftës, por jo këto kategori që kanë pësuar para luftës”.

Ndërsa deputetja opozitare nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë se përfshirja e kësaj kategorie me anë të rishikimit të Ligjit për Statusin e të Drejtave të Dëshmorëve dhe Invalidëve të UÇK-së do të jetë i pamundur.

Andaj, ajo kërkoi që të gjetet një formë tjetër për trajtimin e kësaj kategori që ka kontribuar.

“Për mua është me rëndësi t’iu njohët kontributi në kuptimin se çka kanë bërë për vendin”, ka deklaruar Hoxha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore