“Të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët i lëshojnë në shqip”

SHFLETO
albanianpost
23.08.2021 19:00
Loading Icons...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas koncertit të këngëtarit boshnjak, Goran Bregoviç, të cilin e konsideroi si një nga muzikantët më të jashtëzakonshëm të Ballkanit, duke iu kthyer komentuesve si shqiptarë, ashtu edhe ata serbë.

“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, deklaron fillimisht Rama në statusin e tij në Facebook.

Për kryeministrin, të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip.

Ndërkaq, kryeministri iu rikthye dhe njëherë origjinës së Bregoviç, duke theksuar se muzikanti nga Sarajeva, ka një baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake.

Këngëtari, shkruan më tej Rama, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash.

Kjo, paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi.

Rama ravijëzoi në përmbyllje se rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon “armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë”.

“Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”, auto-ironizoi kryeministri pas komenteve negative në përmbyllje të Festës së Birrës që u organizua në qytetin jug-lindor të Korçës.