Të paktën 7 të vdekur pas një shpërthimi në jugperëndim të Francës

SHFLETO
Greta Gjinaj
14.02.2022 16:41
Loading Icons...

Shtatë persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi në një ndërtesë në jugperëndim të Francës, në orët e para të mëngjesit të 14 shkurtit në qytetin e vogël Saint-Laurent-de-la-Salanque, në departamentin jugperëndimor të Pyrenées-Orientale, afër Perpignan.

Shpërthimi u pasua nga një zjarr, i cili u përhap në ndërtesat fqinje, ku në total 25 persona u evakuuan.

Sipas radiostacionit lokal “France Bleu”, shpërthimi ndodhi në katin e parë të ndërtesës, në një dyqan fast-food në qytet, i cili është afër Perpignan.

Në afërsi të godinës së prekur janë gjetur bombola gazi, por ende nuk dihet nëse ato kanë qenë shkaku apo nëse kanë rënduar shpërthimin.

Reagim ka pasur edhe nga ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, i cili shprehu ngushëllimet duke theksuar se do të nisej drejt vendit të ngjarjes për të parë nga afër dëmet dhe situatën.

Banorët raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim rreth orës 1:30 të mëngjesit. “Dëgjova një shpërthim shumë të fortë, pastaj pashë flakë të mëdha”, tha për “AFP” një dëshmitare e zonës.

Ajo tha se punimet e ndërtimit kishin vazhduar në një restorant fast-food në katin e parë të një prej ndërtesave të dielën.

Gati 100 zjarrfikës u mobilizuan gjatë natës dhe të hënën ekuipazhet vazhduan kërkimin për viktimat e mundshme në dy blloqe të vogla banesash të mbetura të paqëndrueshme nga dëmet nga flakët.

Një burrë rreth të 30-ave u dërgua në spital në një gjendje kritike pasi u hodh nga një dritare e katit të dytë për t’i shpëtuar zjarrit.

Ndërkohë autoritetet kanë nisur një hetim për shkakun e shpërthimit.