Lajme

Të paktën 51 persona humbën jetën nga shpërthimi në një minierë qymyrguri në Iran


Një shpërthim gazi në një minierë thëngjilli në provincën Khorasan Jugor të Iranit ka vrarë të paktën 51 persona dhe ka plagosur 20, tha media shtetërore e Iranit.

Aksidenti u shkaktua nga një shpërthim gazi metani në dy blloqe, B dhe C, të minierës së drejtuar nga kompania Madanjoo, tha media shtetërore të dielën.

Guvernatori i provincës së Khorasanit Jugor, Ali Akbar Rahimi, i tha televizionit shtetëror: “Shtatëdhjetë e gjashtë për qind e qymyrit të vendit sigurohet nga ky rajon dhe rreth tetë deri në 10 kompani të mëdha po punojnë në rajon, duke përfshirë kompaninë Madanjoo”.

Mësohet se ka përfunduar operacioni i shpëtimit në bllokun B. Nga 47 punëtorë që ishin në bllok, 30 vdiqën dhe 17 u lënduan, tha Rahimi.

Kanë nisur operacionet e shpëtimit në bllokun C. Dendësia e metanit në bllok është e lartë dhe operacioni do të zgjasë rreth tre deri në katër orë, shtoi ai.

Në momentin e shpërthimit ndodheshin 69 punëtorë në blloqe, raportoi televizioni shtetëror.

“Shtatëmbëdhjetë persona të plagosur u transportuan në spital dhe 24 persona janë ende të zhdukur”, tha më herët të dielën, duke cituar kreun e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit.

Shpërthimi ndodhi në orën 21:00 me orën lokale të shtunën, tha media shtetërore.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. “Kam folur me ministra dhe do të bëjmë çmos për të vazhduar”, tha Pezeshkian në komentet televizive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore